Në mes të pushtimit rus të Ukrainës, qeveria e udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin ka miratuar të hënën e 7 marsit një listë të vendeve dhe territoreve që kryejnë veprime “jomiqësore” kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.
Përkatësisht, lista përfshin: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Shqipërinë, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Maqedoninë e Veriut, gjithashtu dhe Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin.
Lista vjen pas një dekreti presidencial të nënshkruar më 5 mars, që lejon Qeverinë, kompanitë dhe qytetarët rusë të paguajnë borxhet në valutë të huaj, që u detyrohen kreditorëve të huaj nga “vendet jomiqësore” në rubla.
Për të bërë pagesa të tilla, Qeveria shpjegoi se debitorët duhet të hapin një lloj të veçantë llogarie rubla në një bankë ruse dhe të transferojnë në të ekuivalentin e rublës së shumës së monedhës së huaj – që i detyrohet – sipas kursit zyrtar të këmbimit të bankës qendrore në ditën e pagesës.