Selim Struga, i cili u ekstradua dje nga SHBA u arrestua nga autoritetet amerikane të FBI-së në Detroit më 10 dhjetor të vitit 2011. Shqiptari kishte 22 vite që ishte shpallur në kërkim dhe i fshihej Drejtësisë.
Struga, i cili jetonte në Miçigan, akuzohet për një vrasje të ndodhur në vitin 1989. Ai u dënua 15 vjet burgim, në mungesë, nga gjykata e Tiranës.
Më pas autori i ngjarjes u arratis nga Shqipëria, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si ndodhi ngjarja në vitin 1989:
Më datë 21.6.1989 rreth orës 17:00, Selim Struga ka vrarë me thikë shtetasin Gëzim Çelmeta. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të lokalit të quajtur “10 Korriku”, të ndodhur në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë. Struga ka qenë duke pirë me shtetasit Muhamet Nezaj dhe Fatmir Maçkën në një tavolinë e në pije e sipër dikush nga shokët përreth tavolinës ka thyer një shishe. Ndërkohë, në të njëjtin lokal kanë qenë ulur dhe viktima, Gëzim Çelmeta dhe shoku i tij, Bujar Rama.
Këta të fundit, duke parë gjendjen e alkoolizuar të tavolinës ngjitur me ta, kanë marrë rrugën për të dalë. Në momentin e daljes, njëri nga personat e ulur në tavolinë me Selim Strugën, ka debatuar me shtetasin Bujar Rama. Debati ka përfshirë dhe personat e tjerë në debat të acaruar. Në këtë moment, Selim Struga i është afruar nga pas viktimës dhe e ka goditur me thikë.
Pas 22 vitesh në kërkim, Struga u arrestua në SHBA, ndërsa dje u ekstradua në Shqipëri.
Veritas.com.al/