BRAZIL- Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar.

Dumani dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë.

Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA. Dumani iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut.

“Vizita në Brazil nënvizoi rolin jetik të bashkëpunimit të Shqipërisë me agjencitë e zbatimit të ligjit në shkatërrimin e rrjeteve të krimit ndërkombëtar,” tha Drejtuesi i SPAK Dumani.

“Forcimi i partneritetit të SPAK dhe krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me homologët tanë në Brazil është jetik për gjurmimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve kriminale që prekin dy vendet tona. Së bashku, po bëjmë hapa të rëndësishëm në luftën kundër rrugëve të trafikut të kokainës që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë dhe BE-së.”  

Delegacioni u informua nga Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Brazilit për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët dhe Armatimet, Drejtori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar, Drejtori për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar, Drejtori dhe Zëvendësdrejtori për Hetimin Financiar, dhe Prokurori i Përgjithshëm që lufton grupin kriminal Primeiro Comando do Capital (PCC) që kontrollon shumicën e rrjetit të shpërndarjes së kokainës në Brazil.

Delegacioni gjithashtu u takua me agjentë dhe analistë të agjencive të tjera amerikane të fushës së zbatimit të ligjit në Brazil, përfshirë FBI-në (Byronë Federale të Hetimit), DEA-n (Administratën për Narkotikët), dhe HSI-n (Agjencia e Sigurisë Kombëtare).

Zyrtarët brazilianë mirëpritën ngrohtësisht Drejtuesin e SPAK Dumani dhe kolegët e tij, duke e vlerësuar arritjet e SPAK-ut dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm që SPAK mund të luajë në nivel ndërkombëtar në uljen e ndikimit të rrezikshëm të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Brazil dhe në rajon.

Autoritetet e SPAK dhe ato braziliane ranë dakord të ndihmojnë njëri-tjetrin në ndarjen e informacioneve dhe gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar, duke vendosur kanale jetike komunikimi ndërmjet zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve dhe duke rritur aftësinë e SPAK për të luftuar efektivisht grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Brazil dhe vendet fqinje.

Drejtuesi i SPAK Dumani gjithashtu theksoi mbështetjen e çmuar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga OPDAT, lehtësimi i të cilit i mundësoi ekipit të SPAK të krijonte këto lidhje të rëndësishme.

“Mbështetja e partnerëve tanë amerikanë ka qenë e paçmueshme në fuqizimin e SPAK për të përballuar krimin ndërkombëtar kompleks dhe në pajisjen tonë me mjetet dhe aleancat e nevojshme për të përballuar krimin e organizuar në shkallë globale,” tha Dumani.