-Analizë nga radio gjermane “Deutsche Welle”-

Kancelari austriak Sebastian Kurz ishte i pari që e hodhi idenë e hapjes në Shqipëri të qendrave për migrantë të parregullt pa të drejtë azili në Ballkan. Kështu mund t’u ofrojmë këtyre njerëzve mbrojtje,  në një vend, por jo njëkohësisht edhe një jetë të bukur në Europën Qendrore”, argumentoi kreu i qeverisë austriake para pak kohësh në një intervistë për Televizionin Publik të Austrisë, ORF.

Kurz nuk e përmendi Shqipërinë shprehimisht, por zëdhënësi i qeverisë së tij i konfirmoi Deutsche Welle-s se aktualisht po bëhen bisedime me Shqipërinë për ngritjen e qendrave të riatdhesimit(në gjermanisht: Ausreisezentren): “Migrantët ilegalë duhet të ndalen dhe të trajtohen në kufijtë e jashtëm pas shpëtimit të tyre, dhe më pas ata duhet të kthehen menjëherë në vendet e prejardhjes. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë atyre duhet t’u ofrohet një strehim i përkohshëm në qendra në vende të treta të sigurta. Për ngritjen e një qendre riatdhesimi aktualisht po zhvillohen bisedime me Shqipërinë”, thuhet në një përgjigje të zëdhënësit të qeverisë austriake.

Një propozim tjetër vjen nga presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, sipas të cilit migrantët që duan të depërtojnë në BE përmes Mesdheut të mblidhen nëpër qendra jashtë Bashkimit Evropian, ku do të shqyrtohet edhe kërkesa e tyre për azil. Këtë propozim, Tusk ka ndër mend ta bëjë në fund të qershorit në samitin e BE-së. As këtu nuk përmendet konkretisht Shqipëria, por në shtyp spekulohet se Shqipëria mund të ishte njëri prej vendeve, sidomos për shkak të pozitës gjeografike.

Xhafaj përgënjeshtron

Ministri i punëve të brendshme të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, i cili së fundi ka zhvilluar bisedime me disa homologë të tij në Europë dhe të enjten (21.06.) u takua me ministrin e brendshëm të Gjermanisë, Horst Seehofer, i pyetur nga Deutsche Welle për këtë çështje tha se nuk ka pasur bisedime për qendra refugjatësh në Shqipëri. Në rrugë elektronike, ai i tha se kjo çështje nuk ka qenë aspak temë e bisedës me Seehofer.

Ndërsa nga qarqet diplomatike thuhet se Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësinë e saj në kapërcimin e krizës së refugjatëve dhe të realizojë një kontribut brenda kapaciteteve të saj. “Ne nuk do të bëjmë diçka që e refuzojnë vendet e tjera që janë ekonomikisht më të fuqishme se ne”, i tha DW një diplomat i rangut të lartë.

Nga ana e saj opozita e akuzon qeverinë për një pazar me vendet skeptike të BE-s në këmbim të Po-së për negociatat e anëtarësimit në BE, vendimi zyrtar për fillimin e të cilave, pritet të jepej në fund të qershorit. Në fakt, lajmi për mundësinë e hapjes së kampeve të refugjatëve në Shqipëri erdhi menjëherë pasi kancelari austriak mbas një bisede me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, bëri të njohur se Austria do të shprehet pro fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE-në.

 

Shumë zhurmë për asgjë?

Nëse bëhet fjalë vetëm për qendra të përkohshme për të strehuar ata ish-azilkërkues që duhet të dëbohen, por që për arsye të ndryshme nuk mund të kthehen në vendin e tyre, atëherë numri i tyre është shumë i vogël, thotë eksperti për azilin, Gerald Knaus. Numri i tyre nuk është as 20 në vit, përllogarit drejtuesi i Iniciativës Europiane për Stabilitetin. Ai tërheq vëmendjen që të mos flitet për një plan dhe e kritikon qeverinë austriake që përhap ca terma populiste: Unë e quaj një budallëk politik që tani të krijosh përshtypjen në rajonin e Ballkanit sikur na qenkan me mijëra azilkërkues të refuzuar që duhet të dërgohen në Shqipëri, tha Knaus për DW.

Ardian  Hackaj, drejtori i Institutit të Kooperimit dhe Zhvillimit në Tiranë është kundër këtyre qendrave në Shqipëri. Hackaj kujton me këtë rast se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që në solidaritet me vendet partnere të BE-së dhe SHBA-së  u ka ofruar strehë rreth 3000 opozitarëve iranianë.” Ndërtimi në Shqipëri i kampeve të tjera të pritjes për refugjatë të kthyer nga vendet e BE do ta vendoste vendin në një situatë shumë të vështirë për ta përballuar, dhe si të tillë nuk e konsideroj të arsyeshëm, i tha Hackaj DW.

Edhe deputeti i socialdemokratëve dhe eksperti i Europës Juglindore, Josip Juratoviç, është kundër ngritjes kampeve në Ballkan: “Socialdemokratët nuk do ta mbështesin këtë. Ne duam standarde humanitare për personat që kërkojnë strehim. Dhe gjithkush e di që në shumicën e vendeve pikërisht kjo mungon, deklaroi Juratoviç për DW.