Qeveria e Dritan Abazoviç do të vijojë të jetë në këmbë. Kryeministri malazez ka arritur të bindë presidentin Milo Gjukanoviç për të vijuar bashkëpunimin.
Qeveria miratoi pak ditë më parë marrëveshjen me kishën serbe dhe kjo shkaktoi përplasje të forta. Partia e Gjukanoviç, paralajmëroi se nuk do ta mbështeste kryeministrin, por palët kanë gjetur dakordësinë ditën e sotme
Gjatë një takimi ata adresuan shqetësimet për marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, për të cilën vendosën të kërkonin mendimin e ekspertëve ligjorë dhe shkencorë përpara miratimit dhe vendosjes së saj në zbatim.
“Bashkërisht u vlerësua se është në interes të Malit të Zi dhe të ardhmes europiane ruajtja e stabilitetit politik dhe përmirësimi i funksionalitetit të institucioneve të sistemit, në mënyrë që vendi kandidat për anëtarësim në BE, në një kohë sa më të shkurtër të përmbushë detyrimet që dalin nga agjenda europiane”, thuhet në një komunikatë të qeverisë së Malit të Zi.
Më tej theksohet se marrëveshja duhet t’i prezantohet edhe një herë publikut profesional dhe shkencor të Malit të Zi, për të parë aspektin kushtetues. Po ashtu palët kanë rënë dakord që gjyqtarët e Kushtetueses dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjidhen me konsensus.
“Është një vlerësim i përbashkët se kjo do të tregonte qëndrimin e përgjegjshëm të shtetit ndaj inkurajimit të institucioneve të BE-së për të përmbushur efektivisht kriteret e përkohshme të mbetura për sundimin e ligjit dhe për të krijuar kushte për përshpejtimin e procesit të përgjithshëm negociues”, thuhet aty.
Në njoftim thuhet se presidenti dhe kryeministri ranë dakord që pavarësisht dallimeve politike që ekzistojnë, zgjidhja duhet kërkuar gjithmonë përmes dialogut brenda institucioneve.
“Gjithashtu, Gjukanoviç dhe Abazoviç dënuan çdo formë të gjuhës së urrejtjes apo dhunës, duke theksuar se harmonia ndëretnike dhe ndërfetare është kapitali më i madh shoqëror i Malit të Zi dhe diçka për të cilën vendi ynë njihet në të gjithë rajonin dhe Evropën”, përfundon deklarata.