1 milion qytetarë shqiptarë pritet të përfitojnë nga paketa që Qeveria po përgatit për të ndikuar në lehtësimin e ndikimeve të inflacionit. Lajmin e ka dhënë sot Kryeministri Rama i cili ka bërë me dije të gjitha kategoritë përfituese.
“Qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milionë individëve, për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit – duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje”, tha Rama.
Ai tha se pakoja parashikohet të jetë rreth 800 milionë lekë.
“Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit. Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”, shkruan Kryeministri.