Ministra të rikonfirmuar por edhe emra të rinj, një numër rekord grash në kabinetin qeveritar dhe lëvizje surprizë në postet drejtuese në Partinë Socialiste. Kryeministri Rama dha shumë lajme sot në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Pasi parashtroi objektivat e mandatit të tretë qeverisës dhe filozofinë në drejtimin e vendit dhe partisë Rama nisi me propozimet konkrete, kabinetin të ri Qeveritar dhe ekipin e ri drejtues të socialistëve. Propozimi i parë ishte i Lindita Nikollës, e cila 4 vitet e ardhshme do të marrë stafetën e Gramoz Ruçit si kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë.

12 gra e 5 burra do të jenë anëtarët e rinj të Qeverisë, ku numri 2 i saj është Arben Ahmetaj. Rama ka vendosur të rikonfirmojë 10 ministra, ndërsa largohen Brace, Majko, Shalsi, Klosi, Gjonaj dhe Denaj. Ministritë mbeten të njëjta, ndërsa shkrihet ajo e Shtetit për Diasporën dhe shtohen 2 ministri të tjera të rejapa portofol. Për herë të parë në qeveri vjen Ulsi Manja që drejton ministrinë e Drejtësisë. Në qeverinë e re nuk do të jenë 6 emra të ‘Rama 2’. Pjesë e kabinetit të ri, nuk do të jenë Erjon Brace i cili i parapriu suprizës së Asamblesë, duke e lajmëruar vetë dorëheqjen 1 javë më parë, Pandeli Majko, ministria përkatëse e të cilit, ajo e Shtetit për Diasporën është e vetmja që shkrihet, Eduard Shalsi, Blendi Klosi, Etilda Gjonaj dhe Anila Denaj.

Në vend të tyre, Rama ul për herë të parë në karrigen e ministrit të Drejtësisë Ulsi Manjën, i cili ishte kreu i Komisionit të Ligjeve, te Ekonomia con drejtoreshën aktuale të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisëpër Zhvillim Bujqësor dhe Rural Frida Krifca te Bujqësia, ndërsa i beson ministri edhe dy prej prurjeve të reja të PS, Bora Muzhaqit dhe Edona Bilalit.

Në qeveri, e vetmja e rikthyer është  ish Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, të cilës në këtë mandat Rama i beson Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.  Nga 17 emrat e qeverisë së re, katër prej tyre Elva Margariti, Frida Krifca, Delina Brahimaj dhe Bora Buzhaqi nuk janë deputete.

Sa i përket ekipit të ri të Partisë Socialiste ndryshimi i rëndësishëm ishte ai i Sekretarit të Përgjithshëm të partisë. Gjiknuri i ka marrë kështu vendin Taulant Ballës si numri 2 i PS.