Qeveria ka ashpërsuar edhe më tej masat për të minimizuar riskun e përhapjes. Duke nisur nga pasditja e kësaj të mërkure, në rrugë do të dalë policia dhe ushtria për të kontrolluar çdo qytetarë që lëviz me makinë dhe kush nga ata rezulton se ka udhëtuar në Itali në dy javët e fundit dhe nuk është vetëkarantinohet do të gjobitet.

Postoblloqe të policisë dhe ushtrisë që do të organizojnë kontrolle të automjeteve dhe do ndalojnë nëse ka të ardhur nga Italia apo Greqi, që kanë ardhur 14 ditët e fundit.

Një tjetër masë drastike e marrë këtë të mërkurë është edhe ajo për mbylljen e të gjitha restoranteve, bareve, klabeve në Tiranë dhe në Durrës, kjo sipas Kryeministrit, për shkak të shkallës së ulët të vetëdijes së qytetarëve të cilët këto dy javë po i shohin si kohë pushimesh dhe argëtimesh jashtë shtëpisë.

Në një video sensibilizuese Kryeministri tregon se është vetëizoluar në zyrën e tij, ku nuk harron të lajë duart herë pas here, ndërsa ka kufizuar në maksimum takimet dhe kontaktet.

Rama falenderon çdo biznes që i është përgjigjur pozitivisht duke mbyllur sipërmarrjet e tyre nga mbrëmë, ndërsa apelon që qytetaret të jenë të përgjegjshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi deri sa kjo situatë të kalojë.

VERITAS.COM.AL/