(AFP)

Qeveria turke vendosi ta zgjasë edhe tre muaj të tjerë gjendjen e jashtëzakonshme që nga puçI i dështuar i 15 korrikut, duke mbështetur kërkesën e presidentit Rexhep Taip Erdogan, pavarësisht nga kundërshtimi i opozitës që e akuzon pushtetin se po përfiton për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve.

“Vendosëm ta mbajmë gjendjen e jashtëzakonshme për 90 ditë duke nisur nga 19 tetori në orën 01.00 të natës (ora lokale)”, deklaroi nën kryeministri turk Numan Kurtulmus pas mbledhjes së Këshillit të ministrave. “Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’I përzënë organizatat terroriste”.

Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme duhet të votohet në Parlament, por kjo do të ishte një formalitet përderisa AKP, partia islamike-konservatore e Erdoganit, ka një mazhorancë komode aty.

Gjendja e jashtëzakonshme u vendos në 20 korrik për një periudhë fillimisht prej tre muajsh, që skadon në 19 tetor.

Që nga puçi i dështuar, përgjegjësinë e të cilit ia atribuuan Fethullah Gylenit, autoritetet turke ndërmorën spastrime të padëgjuara që kanë përfshirë të gjithë sectorët e shoqërisë: shkollimin, universitetet, magjistraturën, policinë, ushtrinë, sportin, mjediset penitenciare, gazetarët…

Sipas një bilanci të fundit i bërë publik javën e kaluar, 32.000 persona janë arrestuar, dhe 70.000 janë nën hetim.

Një operacion i përmasave të tilla saqë autoritetet janë detyruar të nxjerin nga burgjet 38.000 të burgosur të dënuar për të liruar vend për të burgosurit e rinj. Autoritetet parashikojnë të ndërtojnë 174 burgje të rinj në pesë vitet e ardhshme për ta shtuar në 100.000 vende kapacitetin në burgjet e vendit, kanë raportuar gazeta të ndryshme turke.

Kreu i shtetit gjykon madje se periudha tre mujore “nuk është e mjaftueshme” dhe se është në interesin e vendit të zgjatet, duke parashikuar madje mbajtjen e saj deri në 12 muaj.

 

– “Populli im do të më kuptojë” –

Ndërsa në Evropë po shtohen zërat që denoncojnë sprapsjen e shtetit të së drejtës, Erdogani mbrohet duke përmendur Francën, ku gjendja e jashtëzakonshme është në fuqi që nga atentatet e Parisit në nëntor 2015.

“A e pyet kush Francën përse e ka mbajtur gjendjen e jashtëzakonshme për një vit? Turqia njohu një tentativë për grusht shteti që nuk ka të krahasuar me sulmet terroriste në Francë dhe unë besoj se populli im do ta kuptojë dhe do ta mbështesë vendimin për ta zgjatur”, ka deklaruar ai.

Vendimi për ta zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme sfidon kritikat e opozitës, e cila ishte e vendosur ta kundërshtonte me votën e saj nëse do të kishte votim në Parlament.  Kreu i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu (kryetari i Partisë republikane të popullit (CHP, social-demokrate) vlerëson se deklaratat e Erdoganit “përforcojnë perceptimin se ne jemi duke asistuar një kundër-grusht” me një president që po përqendron në duart e tij të gjitha pushtetet.

Ai i kish kritikuar përmasat e spastrimeve që ndërmorën  autoritetet menjëherë pas grushtit të dështuar të shtetit, duke e akuzuar pushtetin se po e përdorte gjendjen e jashtëzakonshme “për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve”. Këto kundërshtime në parim mbeten pa peshë përderisa me 133 votat e saj në Parlamentin me 550 vende, CHP-ja nuk ka asnjë shans t’i bëjë ballë AKP-së.