Frrok Çupi

Dje, për pak orë, Presidenti i Këshillit té Europës, Donal Tusk, u ul në aeroportin e Tiranës dhe bisedoi me kryeministrin e Shqipërisë. Axhenda fluturimthi e shefit të Europës, déshmonte apriori për një punë të ngutshme të kancelarive europiane nëpër shtetet e Ballkanit.

Sigurisht, as që mund të hallakatet vemendja jashtë një teme kaq të madhe dhe emergjente sa ç’éshtë në këtë moment rezistenca dhe lufta kundër rrezikut të terrorizmit. Ditet pas sulmeve barbare të xhihadistëve të Shtetit Islamik mbi Paris (kryeqytet i Europës), janë të ngarkuara me peshën e madhe të detyrimeve politike botërore për të mbrojtur qytetérimin prej një rreziku kaq të madh.

Shqipëria si dhe vende të tjera të rajonit, aspirante edhe për anëtarësim në BE, kanë marrë përgjegjësinë e bashkimit në të njëjtin koalicion europian në luftën kundër terrorizmit. Në të njéjtën kohë, vetë pozicioni gjeografik i Ballkanit, mes Europës Perëndimore dhe Sirisë apo vendeve të tjera të Lindjes së Mesme ku ka hedhur bazat Shteti Islamik, e bën më të rëndësishme pozitën politike të qeverive ballkanike.

Kjo ishte edhe çeshtja pse zoti Tusk vrapoi népër kryeqytetet ballkanike, këtë të diele, duke u ndalur për pak në Tiranë.

Por mënyra se si zoti Tusk u prit nga kryeministri Rama, manifestoi një konflikt mes emergjencës së Tusk dhe fjalimit “jare m’jare” të kryeministrit shqiptar. Pritej një fjalim i shkurtér, i shpejtë, i prerë si me brisk, i thatë, i qartë dhe deciziv. Si në një sallë operacioni. Ashtu siç edhe është kjo situatë e perballjes emergjente me një të keqe të shekullit, siç është terrorizmi.

Mirëpo kryeministri shqiptar manifestoi pamje të kundërt. Zoti Tusk i Europës lëvizte si me nervozizëm për minutat që po iknin, Rama i Tiranës lexonte një fjalim të stërzgjatur shkruar në disa fletë. Bënte edhe grimasa të një njeriu të ngarkuar réndë dhe të një njeriu që thoshte “dëgjoméni mua se kjo ka rëndësi”.

Fjalimi ishte i mbushur me fraza të gjata, me figura nga mitologjitë, me fjalor që përdoret zakonisht në morte (si psh jeta vazhdon), me pezhorativ të përdorur gjatë kafesë të së dielës. Por më së shumti, Rama, kishte grumbulliar fjalë dhe fraza patetike kundër xhihadistëve. I mallkoi, i shau, i dërrmoi me fjalë. Madje nuk pati as gjakftohtësinë që të mos shante perçet e grave myslimane, gjé që e ngatërroi keq konceptin bashkëkohor mes të drejtës për perçe dhe aktit terrorist, mes myslimanëve dhe terroristëve që abubuzojnë me Islamin. Po të ishte ky njé udhëheqës i rëndësishëm europian, kjo deklaratë do t’i kishte kushtuar mjaft politikës së Europës.

Por retorika e kryeministrit kishte një qëllim tjeter. Ajo i ngjante më shumë një hartimi në shkollë, se sa një fjalimi politik.

Pse mbajti një hartim zoti Rama para zotit Tusk?

Sigurisht qé fshehja e të vërtetave mbi rrezikun terrorist dhe rolin e qeverise shqiptare, eshte nje arsye. Sepse qeveria eshte e piketuar si qeveri që po merr pjesë né njé trafik narkotikësh drejt Europës dhe kjo është shenja e parë që të lidh me terrorizmin. Tashmë Perëndimi ka ngritur alarm për një Kuvend të kriminalizuar dhe kryebashkiakë kriminelë. Por a mund të fshihet ky realitet me fjalime rapsodike?

Aryse tjetër e “hartimit” kryeministror, siç dihet, është aftësia që Rama ia atribuon vetes se “mbaj fjalime si askush tjetër”.

Por veç këtyre, arsyeja kryesore e një fjalimi patetik është përfitimi politik prej terrorizmit.

Edi Rama e ka shpallur veten katolik, dhe tani i vjen në shteg ta përdorë këtë kartë të sajuar. Duke iu sulur me patetizëm xhihadistéve, por edhe myslimanëve me perçe, ky tenton të marrë rolin e heroit anti-mysliman. 

Pse i duhet ky anti-myslimanizëm i fshehté?

Kryeministrit Rama, pozita e heroit i duhet për aspektin e viktimës që shoqëron heroin. Heroi, një ditë do té viktimizohet, si rregull. Edi Rama, si hileqar manovrash, e di mirë se si të përdorë kutinë bosh si njé bizhu të vlerë. Gjithashtu ky e di se së shpejti mund te “viktimizohet” politikisht prej gjendjes së keqe ekonomike të vendit, prej dëmit që i ka shkaktuar fianancave të shtetit, prej korrupsionit të tij dhe qeverisë së tij. Gjithahtu do të pësojë edhe për shkak të arrogancës.

Këtë paketë të pritshme, zoti Rama e pret me fjalime patetike kundër terrorizmit dhe kundér myslimanëve. Ditët që do të vijnë ky do të thotë se po e lufton terrorizmi për shkak se foli fort kundër tij, për shkak se e quajti “kuçedër” dhe “monster”.

Që sot, pas fjalimit me zotin Tusk të Europës, Rama merr rolin e viktimës në vend që të kthehet në një punëtor për stabilitetin e vendit.

Në fakt ky rol ka nisur që para disa ditësh kur Rama shpalli se mbi vilën e tij është perceptuar një dron i dyshimtë. Po atë ditë, ministrit të brendshëm “i kishin dërguar” një email kërcënues terrorist (!). Përralla e qeverisë se po i rrezikohen “dy më të rëndësishmit”, ka nisur kohë më parë.

Sot, me vizitën e zotit Tusk, legjenda e “qeverisë viktimë” mori karakter më të gjërë. Shpresojnë se nesër Europa mund t’i përkëdhelë si viktima, në vend që t’i gjykojë si fajtorë

Pritet që qeveria, brenda vendit, të shpallë veten si qendra e rrezikut terrorist, dhe, natyrisht si objektin e parë që u dashka mbrojtur. Qeveria, sipas stilit të vjetër Lindor u dashka mbrojtur edhe me sakrificën e popullit.

Këtu del hartimi që u mbajt sot para zotit Tusk të Europës