Koment nga: Leart Skiro

Nuk thonë kot se zoti është me ne: Zoti e kuptoi se sot e nesër do të na kishin djegur në flakë këta që kanë djegur mandatet; prandaj çfarë bëri zoti: Na dërgoi borën e akullt që iu mpiu liderëve nervin e dhunës.

Në gjithë vendin ka rënë borë, madje edhe në Tiranë e në Durrës. Sot duket si 29 Nëntori ( sipas kalendarit të opozitës) 1944, kur fshatarë e punëtorë ecin krenar në rrugë dhe të lirë; askush nuk ka më fikë nga ‘jermani’. Këta dy të dhunës nuk janë shfaqur akoma as në rrugë as në televizione; i ka zënë bora…

Po me që është fjala për ‘jermanët’ që na dogjën edhe çezmat në vitin 1944, edhe kësaj herë më duket se fryu erë ‘jermane’ që na solli erën e ngrirjes. Njëri nga kalorësit e dhunës, Lul Basha, erdhi mbrëmë nëpër qiej nga Austria (jermanike)  duke nxjerrë nga goja fjalët për një paralajmërim të fortë. Erdhi dhe ‘pushkatoi’ një tradhtar të partisë… por vetëm kaq, asgjë më shumë. Me sa  duket ‘jermanikët’ i kanë thënë: “Eeej, djalo, hiqe hurin dhe zjarrin, se ta sjellim akullin prej qiellit”.

Kështu ndodhi. Bora që ka rënë sot e ka ftohur nervin e dhunës.

Vetëm një gazetë presidenciale bënte shantazh: “Tani që na dolët duarve të dhunës, tani do të blejmë disa deputetë”. Po kjo është paqësore: Presidenti gjithnjë ka blerë dhe ka rrëmbyer me katërqind duar.

Dhunuesit janë qullur sot, një javë pas zjarrit të dhunës.

Ka vetëm pak përpëlitje sikur “ah, more maskarenj viktima, do ta shikoni sa të dalim nga ngrirja’. Monika lëshoi një zë të hollë burrëror sot dhe tha se “nuk kemi asnjë hap pas”. Njerëzit e kuptojnë këtë gjuhë, që do të thotë “Hapa pas nuk po u kërkon njeri, por aman jo përpara. Aman mos na digjni e dhunoni!’, kërkojnë njerëzit.

Këta luajnë si me viktimat sulltanike: Edhe i fryjnë, edhe i vjedhin, edhe i dhunojnë, edhe i djegin…, viktimat e tyre. Sa keq qenka kur një popull i mban në pushtet kaq gjatë këto lloj kadavrash, se mbyten në krim dhe pastaj shkarkohen mbi viktimat e tyre. Si në vitet e diktaturës, kur mendoje xhelatin dhe xhelaten ( se duhet të jenë çift), gjuha të shkonte te Veri dhe Nexhi; ndërsa tani njësoj: te Luli dhe Mona. Këta të bëjnë gjëmën, se nuk u sheh syri para krimit.

Po ra kjo borë dhe ua ngriu nervin.

Ndoshta jo bora, por një gjë që vjen nga qielli. Pa alegori, njerëzit duhet të jenë të qetë se gjithnjë i mbron një fuqi pozitive botërore. Popullin tonë e ka mbrojtur fuqia e mirë botërore edhe në diktaturë. Që dje, drejt vendit tonë janë nisur njoftimet ‘prej bore’ të Amerikës dhe Europës: “Mos prekni popullin tuaj, katila!”

Këta janë gati të dorëzohen ose të kthehen në snowmen!

Veritas.com.al/