
Familjet që iu janë dëmtuar banesat apo kanë humbur bagëtitë nga zjarret gjatë verës shumë shpejt do të dëmshpërblehen.
Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projektit për modernizimin e mbrojtjes civile tha se qeveria tashmë ka inventarin e plotë te dëmeve.
“Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti, do dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Kjo besoj është shumë e rëndësishme.
Ndërkohë sigurimi i banesave dhe bizneseve ndaj fatkeqësive natyrore nuk do të jetë më një dëshirë, por do të kthehet në detyrim ligjor.
“Të gjithë duhet të marrin masa të përfshihen në skemën e re sigurimit nga fatkeqësitë natyrore, gjë që do ta sanksionojmë edhe në ligj. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk e ka një ligj të tillë. Këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë, por është fjala edhe për sipërmarrjet, njësitë e biznesit që duhet të sigurohen”, theksoi Rama.
Ndëshkimet ndaj zjarrvënësve do të ashpërsohen. Kodi Penal ka ndryshuar dhe do të kalojë për konsultim publik. Ndërkohë për të dekurajuar zjarrvënien e qëllimshme kryeministri paralajmëroi dhe masa të tjera.
“Në një territor ku vihet zjarr do të ndalohet ndërtimi për 30 vjet”, paralajmëroi kryeministri.
Për të rritur gatishmërinë ndaj zjarreve qeveria tha kryeministri do të porosisë dronë me kamera termike. Ndërsa për forcat zjarrfikëse do të ketë rritje të vazhdueshme pagash.
“Zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të FA, që sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave me synimin që në Shqipërinë 2030, ne të kemi një forcë të armatosur të Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s. Se zjarret e verës si përgjigjen pagave të tyre”, tha Rama.
Komente