Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, në hapjen e samitit të radhës në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan”, i cili po zhvillohet në Tiranë, ka nënvizuar sërish pikëpamjen e tij se iniciativa, është në fakt organi që mundëson zhvillimin e Procesit të Berlinit.
Sipas Ramës, ky i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm për marrëveshjen. Gjithsesi, nuk duhen rreshtur përpjekjet për të nxitur tre vendet e tjera të rajonit, t’u bashkohen Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Një marrëveshje konkrete do të nënshkruhet sot në lidhje me lëvizjen e lirë të mallrave. Memorandumi i bashkëpunimit mbi këtë fushë u firmos në korrik 2021, gjatë samitit që u zhvillua në Shkup. Faktimi, vjen tashmë në Tiranë.
Data e implementimit ndërkaq, do të jetë ajo e 1 janarit 2023.
Një marrëveshje do të ketë po ashtu në fushën e veterinarisë, ku do të njihen certifikatat e unifikuara veterinare. Një proces, i cili do të lehtësojë edhe punën për qarkullimin e lirë të mallrave.
“Kjo është një mundësi e shkëlqyer. Është aspiratë aq sa është nismë. Ekipet tona kanë bërë punë të shkëlqyer në përparimin e çdo aspekti legjislativ”, nënvizoi kryeministri.
Ndërkaq, ai shtoi se më shumë duhet bërë në aspektin akademik. Njohja e ndërsjelltë e studimeve, do të jetë parësore.
Teksa, një hap pozitiv, vjen edhe për aspektin ekonomik, me lehtësimin e procedurave fiskale për import-eksportet.
Sipas Ramës, dy pika janë më të rëndësishmet mbi marrëveshjet e arritura. Në radhë të parë, është fakti që kompanitë, duke parë benefitet e nismës, do të nisin të bashkëpunojnë më gjerësisht mes tyre. Në radhë të dytë, janë njerëzit, ata të cilët do të kenë përfitimin më të madh, pasi u lehtësohet jetesa.