Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në Facebook, ka përkujtuar ngjarjen e 21 janarit 2019.
Në një retrospektivë, Rama kujtoi se 11 vite më parë katër qytetarë të pafajshëm u vranë.
Sipas tij, në atë protestë, Kryeministria nuk u prek nga askush.
“Ajo ishte e rrethuar me gardë, asnjë protestues nuk e kapërceu atë gardh dhe asnjë zjarr nuk e përpiu”, u shpreh Rama.
Numri një i Qeverisë shqiptare kishte edhe një përgjigje për ata që “sot kanë thënë që nuk ka drejtësi”.
Ai u shpreh se fajtorët e vërtetë janë Sali Berisha si kryeministër i asokohe dhe Lulzim Basha si ministër i Brendshëm.
“Pashë komentatorë pas bravës duke thënë se fajin e kam unë, se i thirra njerëzit në protestë”, tha Rama, duke shtuar se, “fajtorët e vërtetë për ato vrasje ndodhen njëri mbi Foltore që do të marrë SHQUP-in dhe tjetri pas bravave”.
Për Ramën, Qeveria e ka shlyer pjesën e detyrimit për dëshmorët e 21 janarit, duke përmendur kështu reformën në drejtësi.
Ai ka ravijëzuar se është hedhur guri i themelit në drejtësi.
“Për herë të parë, duan s’duan ata, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar, është vënë një gur themeli për drejtësinë në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Sa i përket reformës në drejtësi, kryeministri deklaroi se Prokuroria e Posaçme nuk është FBI, por një foshnje që ka nisur të belbëzojë dhe të japë shenjat e para.
“Po pastrohet ai llum gjykatësish dhe prokurorësh që kanë shitur dhe blerë të drejtën sipas qejfit”, tha Rama, duke theksuar se procesi i Vetting-ut po vijon.
Kryeministri u pyet nga qytetarët edhe për mosreagimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për ngjarjen e 21 janarit.
“Çfarë mund të bëjë tjetër Ilir Meta përveçse të shpërndajë dekorata, të cilat i ka cilësuar pa asnjë vlerë e kuptim dhe tallje për ata që i marrin”, u përgjigj ai.