VLORË- Pas ultimatumit të disa ditëve më parë, sot janë konfirmuar dorëheqjet e drejtorëve në Bashkinë e Vlorës. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se Bashkia e Vlorës do jetë një institucion, i cili do t’u shërbejë qytetarëve pa asnjë dallim.

Ai theksoi se drejtuesit që kanë dhënë dorëheqjen mund t’u ri-jepet mundësia të provojnë veten në një moment të dytë, por tani për tani, ata duhet të largohen.

“Drejtorët  bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha. Dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Natyrisht që ndonjërit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen. Nuk do të këtë rikthim për dorëheqjet. Bashkia do të konfirmoj të gjitha dorëheqjet dhe kështu do të ndodh me të gjitha institucionet vendore  e ato rajonale. Ky është vetëm hapi i parë i një transformimi të nisur dhe që Bashkia e Vlorës do të jetë në një institucion për qytetarët dhe institucion i pagjumësisë”, tha ai.

Më tej, Rama ftoi të rinjtë të aplikojnë për postet vakante dhe garantoi se Partia Socialiste dhe qeveria do jenë në krahun e tyre.

“I ftoj të rinj dhe te reja të Vlorës të aplikojmë dhe ne do te jemi krah tyre. Një ristrukturim edhe ne PS te Vlorës me Klevisi Kason dhe Erjona Ismailin. Një parti që do të jetë e hapur për të gjithë dhe për të sjellë prurje të reja.”,  tha Rama.

Kryeministri i vendit shkundi edhe deputetët, ndërsa u kujtoi atyre se ka perënduar koha, kur problemet e qytetarëve zgjidheshin duke ndenjur kafeneve. Ai u kërkoi atyre të dalin në terren dhe të adresojnë shqetësimet e qytetarëve.

Sa i përket aksionit për heqjen e barrierave në hapësirat publike, Rama tha se operacioni nuk ka si qëllim goditjen e biznesit, por gjetjen e një harmonie të përbashkët mes të drejtës së qytetarëve dhe subjekteve tregtare.

“Ka ikur koha e deputetëve të cilët japin zgjidhje të problemeve nga kafeneja. Duhet që ata të dalin në terren dhe t’ju shërbejnë qytetarëve. Problemi i hapësirave publike është një problem që po trajtohet në terren. Nuk ka tendencë për t’i zënë frymën bizneseve. Tendenca është që të harmonizohen interesat e të dyja palëve, biznesit dhe qytetarëve. Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm. Trotuari duhet të jetë i dedikuar vetëm për këmbësorët. Të gjithë njësitë e shërbimit në Lungomare do të kenë një dizajn të ri për të harmonizuar nevojë dhe interesin e tyre. Problematika e zënies së hapësirës publike është në çdo rrugë dhe në çdo rrugë do të veprohet.

Problemi tjetër i Vlorës janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime publike dhe do të hapim të tjera investime në vijimësi, por kjo gjë nuk justifikon parkimin në kundërshtim me ligjin duke zënë hapësirën e këmbësorëve. Policia rrugore do të jetë shumë e ashpër në këtë drejtim. Problemi i ujit të pijshëm një tjetër problem i adresuar. Për shkak të ngarkesës që ka qyteti në këtë periudhë dhe për shkak të investimeve. Çfarë kemi konstatuar është një keq menaxhim vitet e fundit i ujësjellësit të Vlorës në këtë drejtim. Ka një abuzim madhor për konsumimin e ujit të pijshëm për të vaditur bahcet dhe tokat bujqësore. Ministria po përgatit një paketë për ta reformuar këtë sektor.

Me qëllimin përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm kryesisht në zonat turistike. Drejtorët e bashkisë së dorëhequr kanë treguar se janë të papërshtatshëm për ta kryer atë detyrë. Ndërkohë që atyre mund t’ju jepen mundësi të reja në të ardhmen, por dua t’i bëj thirrje që të gjithë ata që vijnë të shërbejnë siç duhet. Ne do të jemi shumë kërkues sa i përket shërbimeve dhe emërimit të tyre sipas meritës.

E njëjta gjë do të vlejë edhe për drejtuesit e institucioneve qendrore në Vlorë, të cilët janë dorëhequr. Asnjë person që ka mbuluar funksionet publike nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë.  Të gjithë drejtuesit do të merren të rinjtë. Të gjithë janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin.

Të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë në Tiranë apo jashtë vendit që janë të dëshiruar të shërbejnë në administratën e shtetit apo në administratën e Vlorës që punojnë kamerier apo punë të tjera. Janë të pritur që të vijnë dhe të konkurrojnë për postet përkatëse Bashkia do të konfirmojë të gjitha dorëheqjet dhe do të hapi garën për udhëheqës të rinjtë.

Ajo që ne kemi bërë në Vlorë me grupin e deputetëve që na dha një rezultat tepër të mirë është vetëm hapi i parë për disa reforma në vijimësi që do të ofrohen. Një kapitull i ri do të fillojë edhe për Partinë Socialiste të Vlorës, ku janë komanduar dy bashkëkryetarë të rinj Erjona dhe Klevisi. Erjona është edhe deputete ndërkohë që Klevisi është këtë në Vlorë për të mbajtur shtëpinë hapur në mënyrë të pandërprerë shtëpinë e Partisë Socialiste

Të gjithë kryetarë e organizatës politike do të vlerësohen sipas shërbimit të tyre në 11 Maj. Ndërkohë partia do të hapet totalisht për të krijuar grupe të reja për të ftuar individë të rinj të jenë kontribuues. Do të hapen edhe grupet me qytetarët për të evidentuar çdo gjë në terren në kohe reale.

Këtu nuk ka të majtë edhe të djathtë. Këtu tek ne ka parazitë dhe njerëz që janë të gatshëm për t’i shërbyer Vlorës. Parazitët janë edhe të majtë edhe të djathtë. Ndërsa edhe këta që janë të aftë janë edhe të majtë edhe të djathtë. Ne jemi me këta të dytët pavarësisht ngjyrimeve politike. Kjo është qasja që ne kemi zgjedhur dhe besoj se do kjo qasje do të sjell vetëm gjëra të mira të Vlorës”, tha Rama.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *