Gjatë takimit me kryebashkiakët, kryeministri Rama u shpreh se Bashkitë duhet të disiplinojnë performancën financiare dhe të shtojnë të ardhura, pasi akumulimi i borxheve prej tyre nuk mund të tolerohet më për vitet në vijim.
Si zgjidhje për këtë, kreu i qeverisë hodhi idenë që bashkitë duhet krijojnë kompani ndërtimi në funksion të strehimit, të cilat sipas tij do të krijonin të ardhura për to që të mos varen për gjithçka te qeveria qëndrore.
“Ajo që ka shumë rëndësi të nënvizohet është se disiplina financiare e bashkive është sot një domosdoshmëri në të gjithë kontekstin ku jetojmë dhe në kontekstin e asaj që ka të bëjë me thellimin e decentralizimit si përgjegjësi. Dua të ndalem shkurt në disa aspekte. Së pari në aspektin e detyrimeve të prapambetura, siç e kemi diskutuar më parë, ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë, në bazë të parametrave të dakordësuar, jo kot. Dhe kjo është e nevojshme sepse nuk mundet dot që akumulimi i borxheve të bëhet një rrugë e hapur dhe për vitet përpara. Kjo është e pamundur. Rritja e performancës së bashkive është një prioritet për ne. Nuk ka si të rriten bashkitë nëse nuk disiplinohen financat dhe nëse bashkitë nuk mendojnë të shtojnë të ardhurat. Kjo është e dhëna më dramatike që volumi i aktiviteteve që lidhin bashkitë me krijimin e të ardhurave jo buxhetore është minimal, afër zeros.
Është e pamundur që ne ende sot, në nivel bashkiak që nga Tirana, nuk kemi asnjë model ekonomik të pavarur. Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë të ndërtojnë dhe të krijojnë shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim, por dhe njëkohësisht të fitojnë. Më thoni një kompani bashkiake që ndërton në funksion të strehimit. Nuk ka. Kemi pasur një debat me drejtuesit e Tiranës. Nuk mund të përgjigjet dot qeveria për çdo kërkesë”, tha Rama.