Kryeministri Edi Rama së bashku me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca dhe ministrin për Rindërtim Arben Ahmetaj, kanë ndjekur punimet në shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” në Kurbin. Nga atje Rama tha se falë mbështetjes së BE shkollat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit po rilindin. Rama theksoi se ka përfunduar faza e parë e rindërtimit të shkollave me fondet e qeverisë, dhe po vijon faza e dytë e rindërtimit me fondet e BE-së.
“Projekti është pjesë e fazës së dytë pasi jemi drejt finalizimit të fazës së parë me fondet e qeverisë. Tani jemi në fazën e dytë me fondet e BE-së për të ndërtuar shkolla me cilësi të lartë. Dua të them se shkollat e reja garantojnë kursim energjie dhe një mikroklimë shumë më të këndshëm qoftë në verë dhe në dimër.Në këtë rast dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë dhe në veçanti ambasadorin e Bashkimit Europian. Shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” po rilindin për bukuri pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit, falë financimit nga Bashkimi Europian”, shprehet Rama.
Soreca nënvizoi mbështetjen e BE ndaj vendit tonë.
“Dy shkollat po rindërtohen në sajë të Programit të financuar nga BE-ja. 75 milionë euro për më shumë se 60 shkolla dhe janë të gjitha këto fonde që janë dhuruar nga Komisioni Europian. Sot kemi ardhur tek shkolla e dytë, e cila po ndërtohet nga fillimi dhe po vlerësonim pikërisht cilësinë e ndërtimit dhe ky është solidariteti i BE-së për Shqipërinë në formë konkrete, me anën e këtyre fondeve që janë dhuruar për më shumë se 25 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Europa është këtu!” – u shpreh ambasadori Soreca.
Në Kurbin janë 4 shkolla dhe 2 kopshte që do të ndërtohen me fondet e Bashkimit Europian. Një ndër to është edhe shkolla “Demokracia”, me 16 klasa, që do t’i shërbejë rreth 150 nxënësve. Shkolla “Demokracia” është me lotin e parë të grantit të dhënë nga Komisioni.
VERITAS.COM.AL