Kryeministri Edi Rama, në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, theksoi rëndësinë e madhe strategjike të këtij porti për Shqipërinë.
“Porti që kemi në mes të Durrësit ka impakt qesharak në ekonomi, ndërsa ky i riu do të impaktojë ekonominë dhe sigurinë tonë, pasi do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimalë. Ky port e bën Shqipërinë pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, deklaroi Rama.
“Projektet e mëdha nisin kur nis procesi i mbledhjes së të dhënave, i krijimit të grupit të ekspertëve, i projektimit, i oponencës… është një histori gjithmonë shumë më e gjatë sesa dëshira, pasi qytetarët dëgjojnë dhe presin. Durimi nuk është ndër virtytet e shqiptarëve dhe është një nga mallrat më të rrallë në kohët tona. Por, është e mirëkuptueshme te shqiptarët sepse kanë pritur shekuj që më në fund të bëjnë zgjedhjen e tyre.
Gjithmonë kanë jetuar nën zgjedha që kanë ardhur si rezultat i zgjedhjes së të tjerëve për ta. Për herë të parë në histori, shqiptarët jetojnë me zgjedhjen e tyre dhe ata kanë zgjedhur që ky vend të bëhet më në fund pjesë e familjes së vendeve të lira dhe demokratike. Por, e shkuara është një barrë shumë e madhe në të gjitha kuptimet.
Është njësoj si porti i Durrësit në qendër të qytetit, që është një plagë mjedisore dhe një plagë fizike që ka bërë dëm të madh për perspektivën dhe imazhin. Por, edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik, pasi e gjithë ajo rrëmujë dhe kaos ka qenë zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale. Largimi i portit të Durrësit nga qendra dhe vendosja e tij këtu (Porto Romano) është hapja e një kapitulli të ri në historinë e qytetit, por edhe të ekonomisë sonë kombëtare.
Ky projekt ka garancinë shumë të madhe të një prej kompanive më të shkëlqyera që ka bota. Është krijuar në vitin 1881 nga dy xhentëllmenë holandezë dhe që në 100-vjetorin e kompanisë ka marrë nga Mbreti i kohës edhe titullin mbretëror “Royal”.
Dhe kjo kompani ka sjellë për ne mundësinë që të kemi një nga mjeshtrat më mbresëlënës të të gjithë botës së inxhinierisë dhe teknologjisë detare. Kjo kompani na ka shoqëruar në të gjithë këtë projekt dhe do ta shoqërojë si partner i qeverisë në mbikëqyrjen e të gjithë procesit. Kompanitë e ndërtimit të porteve, po gjetën shesh bëjnë përshesh. Por, ne kemi kompaninë e duhur që do të sigurohet që kjo gjë të mos ndodhë”, shtoi Rama.