Gjatë takimit me bashkatdhetarët në Nju Jork, kryeministri Rama priti dhe disa pyetje nga të pranishmit në sallën Gotham Hall.
Kreu i qeverisë u shpreh se Partinë Demokratike e morën “komunistët më të zinj”, teksa foli dhe për Shkodrën, e cila për herë të parë votoi për PS në zgjedhjet e fundit lokale.
“Kam qejf kur më thonë jam antikomunist dhe demokrat, kështu isha dhe unë. Por PD na e morën komunistët më të këqij. Thashë më mirë bashkohemi me komunistët që nuk e mohojnë nga kanë ardhur sesa me ata që ishin më të zinjtë kur ishin komunistë. Shqipëria nuk është e ndarë mes komunistësh dhe demokratësh. Shqipëria është e ndarë mes punëtorësh dhe dembelësh, patriotësh dhe nacionalistësh që i referohen flamurit vetëm për t’u fshehur dhe e treta e atyre që Shqipërinë e shohin përtej bindjeve. Shembulli i Shkodrës është kuptimplotë 33 vjet e mbajtën se ne ishim komunistë. Një herë na e dhanë mundësinë dhe shiheni si ka ndryshuar Shkodra”, tha Rama.