Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën si i ftuar në ‘Wake up’ në Top Channel.
Duke u ndalur te zgjedhjet e 14 Majit, ai u shpreh i bindur se Partia Socialiste e diskuton mundësinë e humbjes në shumë pak bashki tëvendit.
“Ndër të gjitha fushatat, kjo është një fushatë ndryshe, nuk e ndjej si një betejë si të tjerat me kundërshtarë konkret. E ndjej si përcaktuese për të ecur përpara. Patjetër që s’i kemi bërë gjërat mirë. Duke e parë nga afër bilancin, kemi bërë gjëra të mira në bashki, qytetet janë të pastra, përjashto Shkodrën. Akoma sot vazhdojnë kazanët mbushen me plehra rrinë me ditë në rrugë. Qytetet sot nuk kanë probleme me ujin e pijshëm, sot mbulojmë më shumë sesa mbulohej përpara 90-tës. Në te gjitha qytetet nuk është refreni “do tju sjellim ujë”, pjesa më e madhe e ka. Tirana është më e vështira se ka një rritje të madhe të popullsisë.
Është shumë e rëndësishme të përmirësojmë bilancin. Nuk është fushatë konfrontuese, kemi preferuar ta mbajmë komunikuese, nuk janë kundërshtarët në sensin e përplasje. Kemi shumë pak bashki që janë në diskutim. Një kandidat është më shumë sesa një person, është një burim energjie që ka të bëjë me mbështetjen që ka, ka të bëjë me forcën që përfaqëson, nëse është i pavarur ka të bëjë me atë shtresë apo grup që mund të jenë bashkuar për ta mbështetur.”– tha Rama në Wake up.
Ai është ndalur tek deklarata e tij se nuk do të bashkëpunojë me bashkitë ku mund të fitojë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sipas Ramës janë pikërisht ata që s’e kanë bashkëpunimin në ADN.