Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen shumë të ndjeshme, që ka prekur thellë zemrat e të gjithëve, 15-vjeçaren nga Fushë-Kruja, Elona Koburja, e cila vuan nga një sëmundje shumë e rëndë dhe e rrallë.
Vajza është nisur sot pasdit për kurim në Turqi nën kujdesin e qeverisë shqiptare, ndërsa Rama shkruan në “Facebook” se rasti është ndjekur me përkushtim të plotë dhe shumë përparësi. Sipas kreut të qeverisë, Elona do të kurohet në një spital publik të specializuar në Turqi, duke shtuar se të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga qeveria shqiptare.
“Duke qenë se jo pak prej jush, interesoheni për Elonën, vajzën 15vjeçare që po lufton me një sëmundje shumë të rrallë e të rrezikshme, ju bëj me dije se e kemi asistuar me përkushtim të plotë dhe kemi ndjekur me shumë përparësi procedurën, për kurimin e saj në një spital publik të specializuar në Turqi.
Sidoqoftë ajo para pak ka mbërritur në një spital privat në Stamboll dhe në çdo rast, të gjitha shpenzimet për kurimin e saj, do t’i mbulojë Qeveria Shqiptare. Uroj megjithë zemër që vogëlushja të kthehet shëndosh e mirë në Shqipëri”, shkruan Rama.
Lutjet e mijëra shqiptarëve për Elonën e vogël janë dëgjuar fatmirësisht shumë larg përtej kufijve. Falë dashamirësisë së njerëzve humanë e me zemër të madhe, vajza 15-vjeçare nga Fushë-Kruja, që vuan nga një sëmundje tepër e rrallë dhe e rëndë, ka lënë sot në mesditë spitalin universitar “Nënë Tereza” për t’u transferuar në spitalin “Medipol University Hospital”, në Turqi.