‘Vrapimi drejt së ardhmes’. Përmes këtij slogani, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot rrugëtimin e Partisë Socialiste dhe kandidatëve të saj drejt zgjedhjeve të 25 prillit.

Në fjalën e tij Rama u bëri thirrje të gjithë socialistë që nga ky moment të vrapojnë në sulm për Shqipërinë e së ardhmes, sipas tij për ta mbrojtur vendin tonë nga ata që duan të kthehen në qeveri me të njëjtat fytyra por më të rrudhura dhe më të lodhura, duke iu referuar opozitës.

Me batuta dhe ironi, Kryeministri zgjodhi të komentojë drejtuesit e opozitës si më poshtë:

“Kush mund ti fitojë betejat që i duhen Shqipërisë? Kush mund ta dërgojë vendin përpara përveç nesh ? Kush, cili, apo cila? Kush nga shqiptarët i ka lënë mendjen,veshët me fajde te Monika apo pa gale të iliri dhe Saliu, mund të mos e shikojë ndryshimin e madh. Kanë nxjerrë përpara një dhëndër dhe janë nisur për dasmë, me kalastrenat e Gon Dukës, me kapsollat e Fatmir Mediut, me faqoren e Dash Shehit, me kecat e Tym Idrizit, me vetullat e Vangjel  Dules,  me preshët e Tritanit, me kasetat e Salianjit, me peshqirët e Mziut, simiten e Xhaferrit të Durrësit me rakinë e Leskos  me gërrnetën e Mesilës, kurrë në historinë e saj që nga 1912 nuk e kanë parë këtë tabor krushqish. Kurrë, por kanë frikë. Kam vërtet frikë se do të çojnë nga varri Çeço Musarajin dhe të hedhë në gjyq Lulzim Bashën, për të drejtën e autorit”, tha Rama.

Të gjithë kandidatëve të listës së PS-së, Rama ka një porosi: të gjithë në sulm.

“Të gjithë në sulm për Shqipërinë e së ardhmes! Të gjithë në sulm për të mbrojtur popullin nga taksa e sheshtë, në sulm për të ulur taksat. Të gjithë në sulm për të mos lejuar taksën mbi fitimin, të atij që na pengon për të vazhduar punën. Në sulm për të vazhduar punën dhe për të përmirësuar më tej kushtet. Në sulm për të rritur pagën minimale, për të mbrojtur fermerët, peshkatarët, të rinjtë, fëmijët, në sulm për të mbrojtur drejtësinë e re nga Iliri, Monika, KCK. Në sulm për ta shtrirë rilindjen më tej, për ta shtrirë në zonat rurale. Në sulm për ta mbrojtur vendin tonë, të atyre që duan ta rimarrin vendin, të atyre që duan të marrin mandatin e 5-të. Në sulm për të mbrojtur Shqipërinë, për ta çuar atdheun tone në një nivel tonë. Në sulm për të hapur rrugë të reja, aeroporte, vepra të mëdha, që do të ndryshojnë faqen e atdheut tonë turistikë. Në sulm për ta njësuar me emrin Shqipëri. Për të mos harruar se duhet luftuar në fund me armikun e padukshëm, ndaj këtij makthi që ka marrë jetë, dhe të zhdukim plagët e tërmetit. Kush mund ti bëjë të gjitha këto? Kush mund ti fitojë betejat që i duhen Shqipërisë? Nëse jo ne, kush do e cojë Shqipërinë para? Kush?”, tha Kryeministri Rama.

VERITAS.COM.AL