Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së gjyqtarëve për rritje të pagave, duke deklaruar se kjo iniciativë do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro, para që vijnë nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Rama tha se mënyra se si gjyqtarët u ballafaquan në seancën në Gjykatën Kushtetuese “lë shumë për të dëshiruar”, si për nga argumentet, ashtu edhe për nga qasja ndaj dy pushteteve të tjera.
Sipas kreut të qeverisë, gjyqtarët kërkuan “tinëz” rritjen e pagave, duke tentuar të përfitojnë nga situata politike dhe kalendari zgjedhor. Ai shtoi se pretendimi për të imponuar vendime mbi parlamentin dhe qeverinë përbën një shqetësim serioz për ekuilibrin e pushteteve në vend.
“Tani, po ta dëgjosh atë regjistrim të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, realisht ndihesh në vështirësi të madhe, duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi, filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me Gjykatën Kushtetuese, lë tejet për të dëshiruar. Nuk është çështje personash, por ja si flet njëri, unë jam gjykatës karriere, kuptoj nga politika, jeta shoqërore, nga të gjitha. Nga ana e kryeministrit u anatemua, u anatemua ideja që këta njerëz mund të përdorin fuqinë e tyre për të shkelur mbi dy pushtetet e tjera. Mendova këtë, që edhe ne të zgjuar jemi. E kam bërë kërkesën personalisht. Ky i thotë gjykatës, thashë ta bëjmë tinëz këtë punë, qeveria e kishte mendjen te zgjedhjet jo te ne, t’i merrnim shqiptarëve nga taksat, 37 milionë euro të tjera. Gjyqi është gjyq në fund të fundit thotë, se nëse të tjerët janë dhe nuk janë, ne të tjerët që jemi në shumë punë të tjera, gjykatësit janë vet zot dhe vet shkop”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Rama theksoi se, në kushtet aktuale, pagat e gjyqtarëve në Shqipëri janë të njëjta me ato të gjyqtarëve në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe janë dyfish më të larta se pagat e kolegëve të tyre në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Sipas tij, kjo tregon se sistemi aktual i pagave nuk është as i ulët dhe as i padrejtë në raport me rajonin.
Kryeministri bëri të ditur se kërkesat për rritje shkojnë deri në 1800 euro për gjyqtarët e Shkallës së Parë, 2000 euro për ata të Apelit dhe deri në 3000 euro për gjyqtarët e strukturave të posaçme, si SPAK dhe BKH, megjithëse SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative.
Rama rikujtoi se në vitin 2016 u vendos një sistem reference për pagat e gjyqtarëve me qëllim forcimin e pavarësisë së drejtësisë dhe respektimin e rolit të tyre, por sipas tij, kërkesa aktuale synon ta kthejë këtë avantazh në një privilegj të përhershëm. “Nuk mund të lejohet që një pushtet të diktojë mbi dy të tjerët,” u shpreh ai, duke nënvizuar se vendimmarrja për pagat duhet të mbetet në kuadër të institucioneve kushtetuese dhe interesit publik.
Komente