Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me kryebashkiakët, bëri thirrje për krijimin e një grupi të përbashkët pune mes qeverisë dhe bashkive, me qëllim trajtimin e problematikave dhe përmirësimin e kuadrit rregullativ.
Rama propozoi që grupi të drejtohet nga Ministria për Pushtetin Vendor, me përfshirjen e ministrive të Ekonomisë dhe të Mjedisit, Turizmit dhe Kulturës, si dhe përfaqësues të disa bashkive kryesore. Sipas tij, ky grup do të shërbejë për të propozuar ndryshime ligjore, urdhëresa të reja dhe krijimin e sinergjive për zhvillimin e shtetit sipërmarrës.
“Është koha të krijojmë një grup pune të përbashkët midis qeverisë dhe bashkive, për të trajtuar problematikat dhe për t’i futur ato në vijë, si në aspektin rregullativ ashtu edhe në atë të çështjeve të natyrave të ndryshme.
Do të propozoja që ky grup të drejtohej nga Ministria për Pushtetin Vendor dhe të përfshinte Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit, Turizmit dhe Kulturës. Nga ana juaj, në këtë grup pune do të përfaqësoheshin kryetarët e bashkive Lezhë, Maliq, Shkodër, Himarë, Durrës, si edhe një kryetar tjetër, ai i Roskovecit.
Këta do të ishin përfaqësuesit tuaj në këtë grup, ku do të trajtohen çështje specifike, ndërsa Ministria për Pushtetin Vendor do t’i paraqesë qeverisë propozime për ndryshime ligjore, urdhëresa të reja dhe krijimin e sinergjive të reja për zhvillimin e shtetit sipërmarrës.”, tha Rama.
Komente