Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë për mediat me zëvendëskryeministrin italian, njëherësh dhe ministër i Jashtëm, Antonio Tajani pas takimit të Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë përmendi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve ndërsa theksoi se Italia është avokati më i mirë në Bruksel. Gjithashtu Rama u shpreh se ka marrë premtimin e Tajanit, se marrëveshja mes dy vendeve për pensionet do të finalizohet.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Shpreh kënaqësinë time të plotë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe falënderoj nga zemra gatishmërinë dhe vëmendjen që qeveria italiane ka treguar për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të shfrytëzuar potenciale të jashtëzakonshme që ekzistojnë në të gjitha fushat në bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë. Ka qenë kënaqësi sepse nuk ndodh gjithmonë që të shkosh në një vend tjetër me një delegacion kaq të madh dhe të mos kesh nevojë për kufjet e përkthimit, gjë që besoj që do të lehtësojë shumë dhe përkthyesit që do të paguhen pa punuar, por besoj që Farnesina do t’i paguajë meqë kanë qenë këtu të pranishëm me vëmendje, por s’ka pasur nevojë, kjo do të thotë që, jo vetëm gjuha e përbashkët, që italishtja është gjuha e dytë e shqiptarëve, por edhe gjuha politike në shkallë dypalëshe ndërkombëtare është e njëjta.

Është e njëjta gjuhë. Ne kemi plotësisht të njëjtat qëndrime me të gjitha çështjet dhe na bën nder dhe na kënaq që Italia është avokati ynë më i besuar në nivelin europian dhe zëri më i fortë dhe më i dëgjuar në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin e tij europian ndërsa na kënaq shumë që qeveria, kjo qeveri ka një angazhim të veçantë për të kaluar nga shumë premtime që janë premtime të natyrshme të të qenit bashkërisht të ndarë dhe të bashkuar nga i njëjti det, pra të kalojë nga këto premtime në fakte konkrete në fushën e ekonomisë, në politikat e përbashkëta të sigurimit dhe kështu me radhë.

Nuk dua të përsëris atë që ka thënë në mënyrë shumë të detajuar dhe me shumë kujdes zëvendës kryeministri Tajani ka thënë tashmë, por dua vetëm t’u them shqiptarëve se ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh dhe kontribuojnë prej vitesh në zhvillimin e ekonomisë italiane dhe kemi kuptuar shumë herë që marrëveshja për pensionet është në pikë arritje pothuajse dhe kemi fituar nga premtimi solem nga zëvendës kryeministri që kjo pikarritje nuk do të jetë një pikënisje tjetër siç ndodh shpeshherë në anët tona. Kështu, të gjithë shqiptarët e shumtë që jetojnë, kontribuojnë, kanë punuar dhe punojnë në Itali, më në fund do të mund të ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe ta falënderojnë këtë qeveri sepse kjo qeveri më në fund do ta çojë deri në fund këtë nismë shumë të rëndësishme nga pikëpamja, jo vetëm financiare, por edhe nga pikëpamja sociale dhe nga pikëpamja e respektit dhe të dinjitetit të punës së njerëzve.