Kryeministri Edi Rama ka vendosur një objektiv të qartë për kryetarët e bashkive, realizimi i 1 mijë investimeve në të gjithë vendin përmes Paketës së Maleve, ndryshe nuk do të kenë mundësi të ri-kandidojnë. Deklarata erdhi gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët, një ditë pas takimit me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama paralajmëroi edhe ndryshime kushtetuese brenda këtij mandati.

“Nuk mundet dot të rrini e të prisni vetëm nga buxheti i shtetit, duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë,” tha Rama, duke theksuar se faza e parë e Paketës së Maleve nuk ka përfunduar ende në disa bashki, pavarësisht interesit të lartë nga shqiptarët jashtë vendit, shkruan A2 CNN.

Ai shtoi: “Ambicia është 1 mijë investime nga kjo paketë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim nëse nuk do jetë arritur targeti i këtij projekti.” Rama theksoi se edhe investimet më modeste, prej 50 mijë eurosh, kanë ndikim të madh në ekonominë vendore dhe duhet të trajtohen me seriozitet maksimal.

Kryeministri kërkoi gjithashtu nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të jetë në dispozicion të bashkive për hartat dhe nga ministri Demo të vendosë targetin për secilën bashki. Ai njoftoi edhe krijimin e një agjencie të re për të rritur cilësinë e planifikimit dhe projektimit, si dhe për të siguruar një kanal më të shpejtë ndërveprimi midis qeverisë dhe bashkive.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *