Kryeministri Edi Rama është shprehur se ditën e sotme kanë zhvilluar një mbledhje të Qeverisë, për të diskutuar për dy zhvillime të rëndësishme.

Komentet Rama i bëri përmes një videoje të publikuar në faqen e tij në Facebook, ku tha se do të finalizohet projektligji për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Ai tha gjithashtu se zhvillimi i dytë është se Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për ndërmarrjet e vogla e të mesme, me fokus kryesor te bujqësia, shkruan A2 CNN.

Rama shtoi se financimi do të jetë 250 milionë euro dhe sipas tij, ky është volumi më i madh i vënë ndonjëherë në mbështetje me kredi të buta, të agropërpunimit, të serave, të agroturizmit, etj.

“Sapo kemi mbaruar një mbledhje për dy çështje të zhvillimit. E para finalizimi i projektligjit mbi Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Falë bashkëpunimit me një institucion financiar prestigjioz të Italisë, jemi gati t’ia shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi në këtë stad të ri të vendit.

Projekti është bindës dhe së shpejti do të hidhet për diskutim publik. Banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro-italiane. Do të garantojë një qeverisje të pavarur dhe profesionale të saj.

E dyta, Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për ndërmarrjet e vogla e të mesme, me fokus kryesor te bujqësia. 250 milionë euro. Kemi diskutuar që ta mbështesim nga Qeveria këtë linjë financimi edhe me një garanci sovrane. Ky është volumi më i madh i vënë ndonjëherë në mbështetje me kredi të buta, të agropërpunimit, të serave, të agroturizmit, e me radhë”, tha Rama, shkruan A2 CNN.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *