Kryeministri Edi Rama ka akuzuar për papërgjegjshmëri kreun e shtetit, Ilir Meta, pas vendimit të tij për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Nga Divjaka, ku prezantoi kandidatin e partisë Socialiste për zgjedhjet e 30 Qershorit, Rama tha se Meta tashmë e ka humbur të drejtën të qëndrojë në postin e Presidentit.

“Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e, jo vetëm të republikave parlamentare, por të panjohur në historinë e qeverisjes së botës. Firmos dhe ç’firmos. Sikur bota të hynte në logjikën e Ilir Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej, nuk do të kishte më shtet, rregull, drejtim, por do të bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe. Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund as të pranohet as të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës për sa kohë që fuqia e popullit sovran është tek parlamenti dhe pa diskutim për sa kohë që parlamenti ka jo vetëm të drejtën por ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet.”

Të gjithë atyre që flasin për përplasje civile, apo për një tjetër ‘97, Rama iu kujtoi se nuk është populli që është ngritur në protesta për kursimet e veta, por vetëm 4 persona, Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, që po dalin kundër reformës në drejtësi.

“Nuk janë qindra mijëra njerëz që janë ngritur si në 1997, janë 4 veta, dy kryesorët Iliri dhe Saliu, Monika fallxhorja me artistin, dhe e gjitha kjo është jo fortunë në gotë por llum në filxhanin e fallxhores dhe një përpjekje e dëshpëruar për të penguar atë që nuk e pengojnë dot më. Nuk e kanë dashur që në fillim reformën në drejtësi.”

Veprimet e fundit të Presidentit Meta, Rama tha se kanë bërë të kuptohet se “ku fle lepuri”.

“Që zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor, kjo nuk diskutohet”, tha Rama duke paralajmëruar se ata që “kërkojnë të mbjellin frikë’ mbajeni mend, nga frika e tyre do të treten.”

VERITAS.COM.AL/