Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane “Der Spiegel”, ku ka folur në lidhje me situatën e muxhahedinëve në vendin tonë.

Rama shprehet se anëtarët e MEK nuk mund ta përdorin Shqipërinë për të luftuar kundër regjimit iranian, ndërsa thekson se ata janë të mirëpritur në Shqipëri, por me kusht që të mos përdorin vendin tonë për operacionet e tyre politike.

Kreu i qeverise shqiptare thote se “Shqipëria nuk ka synim të jetë në luftë me regjimin iranian dhe se nuk pranon askënd që ka abuzuar me mikpritjen tonë”.

Pjesë nga intervista:

SPIEGEL: Zoti Rama, javën e kaluar Forcat e sigurisë pranë Tiranës zhvilluan operacion në kampin e MEK-ut iranian. Pse?

Rama: MEK-un e kemi prej disa vitesh në vendin tonë. Ata janë të mirëpritur, por me kusht që mos ta përdorin Shqipërinë si një platformë për operacionet e tyre politike. Mysafirët tanë iranianë e kanë shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje.

SPIEGEL: Kompjuterët e qeverisë në Teheran janë hakuar dhe kanë qarkulluar dokumente të ndjeshme. Rreth 100 PC dhe dhjetëra Hard disqet thuhet se janë konfiskuar tani. Mund ta konfirmoni këtë?

Rama: Shqipëria nuk ka synim të jetë në luftë me regjimin iranian. Shqipëria nuk pranon askënd që ka abuzuar me mikpritjen tonë.

Spiegel: Pse pranuat me kërkesë të presidentit amerikan Barack Obama në vitin 2016 për të pranuar mijëra muxhahedinë?

Rama: Ishte një operacion jetëshpëtues. Ne hapëm dyert tona sepse grupi, që atëherë vepronte nga Iraku u ndoq sistematikisht. Dhe nëse një mik si SHBA-ja na kërkon diçka, ne ndihemi të nderuar.

SPIEGEL: Nëse do të ishit MEK do preferonit të largoheshit?

Rama: E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria.