Në kuadrin e çeljes së fushatës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama ishte sot në Kurbin për të mbështetur kandidaten Majlinda Cara për të marrë drejtimin e bashkisë. Ai tha se kjo fushatë nuk është thjeshtë për të mbështetur kandidatët socialistë, por është fushatë e cila në thelb synon ta ndryshojë Shqipërinë.
Kryetari i qeverisë, Edi Rama tha se opozita ka zgjedhur rrugën e humnerës, por ai u zotua se PS-ja nuk do ta lë Shqipërinë në dorën e tyre.
“Vazhdojmë një maratonë drejt 30 qershorit. Një betejë, e cila nuk është pa kundërshtar, por është një betejë politike më e qartë se asnjëherë tjetër, për të ardhmen e qytetarëve. Është një betejë mes nesh që bëjmë sa mundemi, por nuk bëjmë sa duam, për ta çuar Shqipërinë përpara me pune në çdo drejtim, me njerëz që përpiqemi t’i bashkojmë dhe atyre që duan ta kthejnë këtë vend ku e kemi parë në të shkuarën. Ata kanë frikë nga zgjedhjet dhe bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Ata kanë frikë nga vota e popullit, ata kanë frikë nga ballafaqimi demokratik dhe betohen se do të na imponojnë një përplasje.
Ata vendosen të ikin nga zgjedhjet, puna e tyre. Përveç kësaj, ata nuk vendosin asgjë tjetër. Shqiptarët e kanë vendosur kohë më parë se në këtë vend vendos populli. Kur vjen radha për të zgjedhur, askush s’i ikë atij nga zgjedhja e tyre. Ata kanë pranuar humbjen, kanë kapitulluar dhe janë larguar. Ata sot nuk kanë qëllim të fitojnë, por kanë qëllim që mos të lënë Shqipërinë të fitojë. Ne në këto zgjedhje nuk do të bëjmë fushatë për kandidatët tanë, por do të bëjmë takime derë më derë, por çështja është se ne duam që të fitojë Shqipëria. Ata bëjnë çmos që ta marrin me vete Shqipërinë drejt humnerës, rrugë të cilën e kanë zgjedhur vetë, por Shqipëria nuk do të shkojë pas tyre”, tha ai.
Veritas.com.al/