Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bashkojnë përpjekjet për të rindërtuar disa lagje në qytetin e shkatërruar Irpin.
“Ne e pamë Irpinin nga afër. Më vjen mirë që pranuat propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet dhe për të ndërtuar një lagje ose shtëpi të caktuara në Irpin. Ne duam ta bëjmë këtë në mënyrë ballkanike, pa burokraci të panevojshme”, tha Rama.
“Personalisht, hezitoja të vija në Ukrainë, pasi përmasat e këtij tmerri janë të skajshme dhe mundësia që ka Shqipëria për të ndryshuar fatin e kësaj lufte nuk është fare e mjaftueshme. Por, në të njëjtën kohë nuk mund të mos i përgjigjesha ftesës suaj”, shtoi Rama në fjalën e tij.
Gjithashtu, Rama mbështeti aspiratën e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian: “Dua të them qartë se jemi shumë të lumtur që Ukraina të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën për ne dhe ndoshta njerëzit mendojnë se ne nuk ndihemi mirë nga kjo, por nuk është e vërtetë. Jemi të angazhuar për rrugëtimin tonë evropian për të ardhmen e brezave tonë të ardhshëm. Nga ana tjetër, e kuptojmë që Ukraina e kërkon menjëherë statusin e vendit kandidat dhe keni mbështetjen tonë të plotë për këtë”.