Kryeministri  Edi Rama ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, si i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, si edhe për të diskutuar për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë samit, kryeministri Rama është shprehur se synohet që të ndërtohet një qendër e gazit natyror në Vlorë në bashkëpunim me partnerët.

“Po kërkojmë të ecim para drejt projektit të gazifikimit të vendit dhe e kemi nisur këtë proces gazifikimi duke shkuar kundër asaj që në historinë tonë na ishte privuar. E vlerësojmë shumë këtë kapitull të ri në procesin tonë të zhvillimit. Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme të bashkëpunimit me TAP-in, në bashkëveprim me partnerët tanë, synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet kyç bregdetar në jug të Shqipërisë”, ka deklaruar kryeministri Rama.

Kryeministri Rama është shprehur se Korridori Jugor ka ndryshuar jetë dhe e ka bërë Evropën më të sigurtë teksa ka shtuar se gazi i Azerbajxhanit së shpejti do të bëhet thelbësor për jetën tonë.