Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot një konferencë urgjente për shtyp. Konferenca me gazetarët do të zhvillohet në ambientet e Kryeministrisë dhe pritet të nisë në orën 13:00.
Mësohet se kryeministrit do të diskutojë për temat më “të nxehta” të aktualitetit, përfshirë edhe aksionin e policisë në kampin e MEK, në Durrës më 20 qershor.
Kontrollet e policisë u shoqëruan me momente tensioni në kampin Ashraf 3 ku strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian, (MEK) të cilët protestuan pasi qindra forca të policisë, kishin hyrë më herët brenda kampit për të ushtruar kontroll, mbi bazën e një urdhëri të Prokurorisë së Posaçme. Kontrolli, sipas një njoftimi të policisë synonte verifikime të të gjitha mjediseve dhe zyrave.
Ministria e Brendshme shpjegoi më pas se “vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi i muxhahedinëve, prej vitit 2014, kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen”.
Sipas ministrisë së Brendshme “brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit”. Vetë anëtarët e organizatës MEK, dhe avokati i tyre Genc Gjokutaj, kanë folur për ushtrim dhune nga policia, përdorim të gazit lotsjellës dhe shkopinjve të gomës. Në mjediset e spitalit të kampit kishte disa të lënduar që po merrnin ndihmën e shpejtë, ndërkohë që një person humbi jetën.
Ministria e Brendshme mohoi që punonjësit e policisë të kenë ushtruar dhunë. “Gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”.
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku, shpjegoi se që në mëngjes kishte patur një takim me drejtuesit kryesorë të kampit duke u shpjeguar atyre vendimin e Gjykatës. Ai shpjegoi se brenda strukturës që shtrohet në afro 40 hektarë, ka mbi 127 godina të cilat do të duhej të kontrolloheshin.