Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët fjalën e tij e nisi me bilancin për sistemin e drejtësisë, për të cilin tha se duhet durim pasi nuk ka arritur ende në pikën e reagimit “ndaj zullumit”, që të lehtësojë qytetarët.

Duke iu përgjigjur qytetarëve që kanë një pritshmëri të lartë prej shumë vitesh lidhur me drejtësinë, Rama tha se “ende sot drejtësia nuk ka arritur deri në atë pikë të reagimit të saj ndaj llumit dhe zullumit që të lehtësojë frymëmarrjen e qytetarëve”, por nënvizoi se ky nuk është proces “që zhvillohet sa hap e mbyll sytë e as pa pengesat e veta”.

Sipas kryeministrit, nëse shohim bilancin e deritanishëm, “ka arsye për të qenë vërtet optimist për të nesërmen”.

Për këtë, Rama iu referuar rezultateve të procesit të vetingut.

“Deri më sot në total janë rivlerësuar 322 individë nga të cilët më shumë janë shkarkuar e larguar nga sistemi se sa janë konfirmuar, plot 128 individë të shkarkuar drejtpërdrejt dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces me siguri me vetëdijen e pamundësisë për ta kaluar filtrin. Vetëm 118 janë konfirmuar. Shifër domethënëse për të pasur një pamje të thellësisë të pastrimit të sistemit.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Cfarë ndodh me të larguarit? Kaq e thjeshtë qenka, një pushim nga puna?

Jo se ndërkohë paralelisht me pastrimin ka vijuar e po konsolidohet procesi i ngritjes së instioneve të reja të drejtësisë e ata që s’kanë mundur të justifikojnë pasuri marramendëse në shumë raste apo pasuri shumë më tepër mbi mundësitë legale të tyre në pjesën më të madhe të rasteve do përgjigjen para drejtësisë.

E nga përgjigja para drejtësisë e atyre që e morën peng drejtësinë për dekada, do konfirmohet dhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë, prandaj fjala kyc në këtë proces është durim, sepse bëhet fjalë për të ndërtuar nga themelet njërin prej tre pushteteve që përcaktojnë edhe tre shtyllat e sistemit demokratik”, tha Rama.