Nga selia e Partisë Socialiste, ku po zhvillon një konferencë për mediat me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje ambasadores amerikane’Yuri Kim, pas deklaratës së saj, se politikanët nuk duhet që t’i ushtrojnë presion drejtësisë duke kërkuar hetimin e dikujt. Kreu i qeverisë tha se të kërkosh që drejtësia të bëjë më shumë apo të hetohet një çështje, nuk do të thotë presion por, është domosdoshmëri.

Rama përsëriti sërish në deklaratën e tij se është e nevojshme që SPAK të hetojë të gjithë politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Të njëjtën thirrje bëri edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili kërkoi që të hetohen prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar nga vettingu, por edhe ato që janë dorëhequr, të cilët kanë vënë miliarda në sistemin e drejtësisë në kurriz të qytetarëve shqiptare. Sipas Manjës, PS nuk ka komentuar asnjë vendim të gjykatës, por është detyra e ministrisë së drejtësisë që të kërkojë performancën e organave të drejtësisë.

Kryeministri tha se nuk mund të pritet parashkrimi i disa veprave penale që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë ikur prej vettingut por nga ana tjetër kanë vjedhur miliarda nga qytetarët shqiptarë të shpëtojnë duke ia hedhur paq.