Kryeministri Rama ka nxjerrë edhe shkresë surprizë nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës parlamentare të ditës. Ai tha se në kohën kur Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës, Florion Mima i kishte dërguar një shkresë ku kërkonte privatizimin e Teatrit të Metropolit për llogari të deputetit Astrit Veliaj të PD.

“Shumë shkurt dua të sjell në vëmendje një shembull kuptim plotë të asaj që është dyfytyrësia e përditshme e atyre që sot mungojnë këtu edhe pse Teatrin Kombëtar e kishin lancuar si kalin e tyre të betejës. Mungojnë sepse kanë shkuar në Vlorë për të dëshmuar se si po digjet Vlora.

Koha shumë shpejt do të na japë provën nëse Vlora po digjet apo nëse Vlora po ecën në rrugën e Rilindjes së saj të pakthyeshme. Mjafton të kemi durimin e të presim edhe muajt që na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që për këdo ka ngenë të ndjekë shifrat dhe ta bazojë gjykimin në fakte, mjafton të shohë se si ishte situata e kriminalitetit në Vlorë vetëm 5 vite më parë me shifra dhe si është sot. Nata me ditën. Sigurisht që nuk është një ditë me diell ka ende shumë për të bërë por është ditë nuk është më natë”, deklaroi shefi i qeverisë.

Rama më pas solli në vëmendje një korrespondencë e fundit të mandatit qeverisës të PD-së në vitin 2013 ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ose ndryshe midis Lulzim Bashës dhe ministrit të atëhershëm, Florion Mima.

“Ajo që më nxori këtu është një shkresë të cilën Florion Mima, ministër i Ekonomisë ia dërgon Lulzim Bashës kryetar i bashkisë e çfarë i kërkon. I kërkon privatizimin e Teatrit të Metropolit, në kllapa shënon Florion Mima ‘Teatri i Estradës’ për llogari të deputetit Astrit Veliaj. I vetmi aset kombëtar në dispozicion të bashkisë së Riranës i transformuar nga një kafene e degraduar në një teatër të metropolit para se Basha të shkonte në bashki çohet për privatizim jo për PPP as për të ndërtuar një teatër të ri të metropolit në këmbim të kontributit të zotit Veliaj dhe në funksion dhe të një përfitimi legjitim të zotit Veliaj pasi të investonte për teatrin e ri por për t’u privatizuar për pallat”, deklaroi Rama.

Veritas.com.al/