Pas negociatave me Serbinë në Ohër, kryeministri Albin Kurti zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku takoi krerët më të rëndësishëm të shtetit shqiptar për t’i informuar lidhur me Marreveshjen e Ohrit drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Takimi më i gjatë ishte me kryeministrin Edi Rama, i cili e priti për 2 orë në ‘Vilën 30’ me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama ndau një foto me Kurtin dhe shkruan se e mbështeti kryeministrin e Kosovës për të hedhur hapat e radhës që do të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë. Kryeministri Edi Rama tha se e inkurajoi për Asociacionin dhe Kishën Serbe duke shtuar se do të ketë mbështetjen e tij të plotë.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”, shkroi Rama. Kreu i qeverisë shtoi se diskutuan për mbledhjen e ardhshme të 2 qeverive, për të cilën vendosën që të mbahej në qershor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimeve të ndara me Ramën, Nikollën, Begajn e Metën në Tiranë. Kurti u shpreh se vizita u bë në kuadër të marrëveshjes së arrirë me Serbinë në Ohër. Kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se i njoftoi nga afër dhe më me hollësi përfaqësuesit kryesorë të shtetit. Më tej ai komentoi edhe takimin me Metën, ku u shpreh se e takoi në cilësinë e ish presidentit dhe jo si kryetar të Partisë së Lirisë. I pyetur se çfarë do dëshironte nga Shqipëria, Kurti theksoi ndihmën e Shqipërisë për të përfaqësuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Para takimit me Ramën, Kurti u prit nga kreu i shtetit Bajram Begaj. Presidenti e priti Kurtin në Presidencë dhe zhvilluan një takim për rreth 30 minuta. Begaj ka vlerësuar se marrëveshja me Serbinë është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Pas Begajt, Kurti është pritur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla në Kryesinë e Kuvendit. Ai zhvilloi edhe një takim me kreun e PL-së, Ilir Metën i cili u shpreh se mbështet qëndrimet e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.