Ashtu siç ishte paralajmëruar, ka filluar mbledhja e përbashkët ndërmjet dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila këtë vit po mbahet në Prishtinë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe delegacioni shqiptar u pritën me nderime të larta nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nën përcjelljen e ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Mbledhja e tetë e dy qeverive shqiptare po zhvillohet në një hotel në kryeqytetin kosovar.
Dhe krejt në fund, të dy kryeministrat shqiptarë do të mbajnë një konferencë të përbashkët.
Mbledhja e fundit e dy qeverive ishte mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan, ku ishin nënshkruar 13 marrëveshje.
Më të theksuarat ishin memorandumi për bashkëpunim rreth ndërtimit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë, si dhe njohja dhe njësimi i diplomave universitare, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera.
Një ditë më parë në Kosovë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, premtoi se do të heq të gjitha barrierat tarifore për produktet bujqësore me Kosovën. Sipas tij, është e pakuptimtë që Shqipëria të bëjë një gjë të tillë me vendet pjesëmarrëse të Open Balkan e jo edhe me Kosovën.
Rama, kishte deklaruar se me kryeministrin Kurti ndanin të njëjta qëndrime sa i përket ekzekutimit të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.
“Dua të theksoj diçka që me Albinin e kemi gjetur si emërues të përbashkët në të gjitha bisedat tona dhe më vjen shumë mirë që çka kemi sot këtu në tryezë të përgatitur është një shprehje e parë e kësaj dhe uroj të pasohet në vijimësi në një zinxhir shprehjesh, të vullnetit për të ekzekutuar ato që vendosim”, pati thënë kryeministri shqiptar Edi Rama në mbledhjen e vitit të kaluar.
“Gjëja që kam si mesazh, për pjesën këtej të tavolinës, besoj që të njëjtin mesazh e ka dhe Albini për pjesën andej të tavolinës, është që është prioritet i prioriteteve që gjithçka që ne kemi vendosur, të jetë në krye të agjendës të punës së të gjithë ministrave përkatëse, për të mos lejuar që në rrugën teposhtë zbatimit, në drejtori, në agjenci e zyra, këto fjalë të nënshkruara me vullnet të plotë nga dy qeveritë, të mbeten fjalë”.
Në anën tjetër, ministri kosovar Liburn Aliu, për Hekurudhën Durrës-Prishtinë kishte thënë se ajo “do të plotësojë një ëndërr historike të shqiptarëve”.
“Hekurrudha Durrës-Prishtinë do të bëjë një punë të rëndësishme drejt bashkëpunimit ekonomik të të dyja vendeve dhe zhvillimit ekonomik në të dyja vendet për shkak se do të lidh portin e Durrësit i cili synon të zhvillohet në një port të transportit të mallrave të Prishtinës, e përmes kësaj linje ky port do të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me korridorin 10 përmes linjave që lidhin Prishtinën me Nishin, Sofjen e Stambollin tutje drejt Azisë dhe në Veri përmes Leshakut me Beogradin e Budapestit e Vienën”, kishte thënë Aliu.
Në agjendën e publikuar për mbledhjen e së hënës bëhet e ditur se kryeministrat respektivë, Albin Kurti dhe Edi Rama, do të prezantojnë dhe nënshkruajnë marrëveshjet rreth infrastrukturës portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike.
Në mesin e tyre, siç shpaloset nga agjenda, janë: Projekti i Portit të ri tregtar Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i Thatë në Kosovë.
Në orën 10:45 të mëngjesit mbërrin delegacioni i qeverisë shqiptare në hotelin Garden në Prishtinë, ndërsa Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në ora 11:00.
Në hapjen e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive do të marrin fjalën kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe ai shqiptar Edi Rama, si dhe të anëtarët e dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve do të jetë rreth orës 12:30, ku pas nënshkrimit do të ketë konferencë për media ku do të dëgjohen adresimet e dy kryeministrave.