Vetëm pak minuta pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’i heqë mandatin kryebashkiakut  të Vorës, Agim Kajmaku nuk mungoi edhe reagimi i Kryeministrit Rama. Zgjodhi që fjalën e fundit për këtë çështje Rama t’ia lërë institucioneve.

“Institucionet janë institucione.”

Të njëjtin qëndrim e përforcoi edhe pak minuta më vonë përmes një postimi në rrjetet sociale duke u distancuar nga çdo shkelës i ligjit, qoftë ky edhe brenda gjirit të socialistëve.

“KQZ  ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje. Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë.”

Por Lulzim Basha e akuzoi se rasti i Kajmakut është i mirëmenduar dhe pjesë e një skeme të kryeministrit për t’ia dorëzuar pushtetin krimit.

“Agim Kajmaku është fytyra e Edi Ramës, është pasqyra e radhës me kë qeveris ai. Është poshtërim për PS nga e cila nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar, por nxjerr llumin e llumit, por është edhe poshtërim për shqiptarët të cilët shkëlqejnë në botë por në vendin e tyre qeverisen nga kriminele që e kanë vendin në burg. Për këdo që ka patur dyshime se 2013, 2015, 2017 apo 2019 ka qenë rastësi tani i ka të gjitha provat se kjo ka qenë skemë e mirëmenduar për t’i dorëzuar pushtetin krimit. Prandaj qeveris me krimin dhe e mban pushtetin me krimin.”

Lulzim Basha kërkoi edhe në këtë reagim zgjedhje të parakohshme.

Veritas.com.al/