Kryeministri Edi Rama deklaroi se në zgjedhjet lokale të 14 majit, Partia Socialiste arriti rezultatin e saj më të mirë, duke marrë rreth 800 mijë vota.
Deklaratën, Rama e dha teksa mbante fjalën në një aktivitet të organizuar për 32-vjetorin e Partisë Socialiste.
Rama u shpreh se qytetarët votuan për veten e tyre, teksa veçoi Tropojën dhe Shkodrën.
Sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha dhe Ilir Meta u braktisën masivisht dhe i cilësoi ata si hije të së shkuarës.
“Nuk është dot mjaft as i gjithë turi i mirënjohjes në të gjithë Shqipërinë, ku tani ka mbetur vetëm qershia mbi tortë, Tropoja, bashkia ku na mjaftuan vetëm 4 vjet për të bërë çka të tjerët nuk e bënë dot për dhjetra vite. Tropojanët panë, gjykuan dhe votuan, për herë të parë për veten e tyre. Votuan për çerdhen, shkollën, qendrat shëndetësore dhe për zhvillim. Votuan për një Tropojë të rilindur, e cila pas 1001 vështirësive do të vazhdojë vetëm përpara. Kështu njësoj votuan edhe shkodranët, dibranët, kuksianët, e të tjerë me radhë, të majtë e të dathtë që vendosën të ecin bashkë përpara, duke i lënë shumë mbrapa hijet kërcënuese të të shkuarës.
Kjo falë shumë të djathtëve të cilët e braktisën koalicionin e atyre hijeve, duke mos shkuar fare të votojnë. Më 14 maj, ne thuajse, për një grusht votash, e prekëm kuotën e 800 mijë votave, rezultati ynë më i lartë ndonjëherë, si asnjëherë më parë në historinë e saj 32-vjeçare, PS është forcë e parë në 93% të Këshillave Bashkiakë, ose në 57 bashki nga 61 që janë gjithsej”, theksoi ai.