Kryeministri Edi Rama do t’i dorëzojë ditën e hënë, Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, propozimin e tij për lirimin nga detyra të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se do t’i propozojë gjithashtu kreut të shtetit, që në këtë post të vendoset Taulant Balla, i cili aktualisht është kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”, shkroi Rama në Twitter.