Kryeministri Rama i ka shtrirë “dorën” e bashkëpunimit opozitës për betejën parlamentare për 4 vitet e ardhshme. Rama është shprehur se mazhoranca është gati të dialogojë me opozitën e drejtuar nga Lulzim Basha “për çdo lëshim që ata do duan”.

Megjithatë, kryesocialisti bëri të qartë se me presione, PS nuk do të stepet. “Ta keni të qartë me urdhra dhe kërcënime me ne nuk keni përfituar asnjëherë dhe asnjëherë nuk keni për të përfituar”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

Tjetër t’i biesh kundërshtarit me ‘shuplakën’ e oratorisë e tjetër ti biesh tavolinave, tjetër të votosh kundër dhe tjetër të grisësh fletën e votimit. Ne duhet të sillemi si njerëz. Kjo sallë të mos zhytet në vulgaritet, ku historikisht askush nuk del i fituar. Shumë skena dhe fjalë për të cilat nuk mund të jemi krenarë ka arkivi 30-vjeçar i këtij vendi. Shumë mundësi të humbura për të bërë më shumë ka në kujtesën e këtij vendi.

Unë sot nuk dua të drejtoj gishtin te pala tjetër por dua të mbaj përgjegjësinë e pjesës sonë të fajit për sa na takon. Ne nuk duam asnjë lëshim nga ju, por jemi gati të dialogojmë me ju për çdo lëshim që ju doni. Ne nuk na duhet asnjë votë e juaja, por jemi gati të bisedojmë me ju për çdo gjë që ju dëshironi në të mirë të vendit.

I kemi dëgjuar në distance disa synime tuaja jemi gati të dialogojmë. Me urdhra dhe kërcënime me ne nuk keni arritur dhe s’do të arrini asgjë, ndërsa me komunikim duke folur dhe dëgjuar ne mund të merremi vesh për shumëçka.