“Nga buxheti i shtetit janë paguar 30.6 milionë euro për inceneratorin e Elbasanit dhe 24.7 milionë euro për atë të Fierit”.

Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mesditën e 23 shkurtit, në dëshminë e tij para Komisionit Hetimor për Inceneratorët, duke kundërshtuar kështu fjalën e kryetares së këtij Komisioni se “janë paguar 100 milionë euro nga buxheti i shtetit”.

Ai qartësoi se nga ky buxhet kanë dalë 55.3 milionë euro për inceneratorët, duke i cilësuar fjalët e Tabakut si “fantazi e juaja”.

I pyetur nga Tabaku, nëse Bashkimi Evropian (BE) është kundër menaxhimit të mbetjeve, Rama e mohoi.

“Bashkimi Evropian nuk është kundër menaxhimit të mbetjeve, por e ka ngritur si shqetësim”.

“BE flet për nivel shumë të ulët të ndarjes në burim të mbetjeve, flet për nivelin shumë të ulët të riciklimit sepse këto janë preferencat e BE-së”, tha Rama, duke theksuar se “ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë”.

Sipas kryeministrit, në Shqipëri janë ndërtuar “impiante të përpunimit të mbetjeve për prodhimin e energjisë”.

“Incenerimi është komponenti i parafundit”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë nuk munguan as replikat mes Ramës dhe kryetares Tabaku.

Numri një i qeverisë ka thënë se “nuk kam ardhur këtu për asnjë aferë”. Sipas tij, Partia Demokratike (PD) e quan të këtillë, pasi “ky është opinion i opozitës”.

I pyetur për marrëdhënien e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, me deputetin Alqi Bllako, Rama tha se nuk është kompetencë e tij të analizojë marrëdhëniet shoqërore mes njerëzve.

Kurse për Lefter Kokën, kryeministri tha se e njeh vetëm në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit dhe “jo pronar përfitues të diçkaje”.

“Ish-ministri nuk është i akuzuar për ndonjë vendim qeverie. As për ndonjë mbledhje qeverie, as për ndonjë aferë të madhe qeverie”, tha ai duke cilësuar se Koka “është nën akuzë për korrupsion që ai individualisht ka kryer me palën tjetër”.

Dëshmitari në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, tha se i qëndron pikë për pikë deklaratave që kanë thënë ministrat dhe ish-ministrat e qeverisë ditët e kaluara.

Dëshmitë e mëparshme

Një ditë më parë, ka qenë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka dëshmuar në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Ai u pyet nga kryetarja Tabaku nëse i njeh tre personat që janë në kërkim për këtë aferë, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugalljan.

Kryetarja e Komisionit ka kërkuar nga Veliaj që ti paraqesë vendimin e Këshillit Bashkiak për miratimin e projektit të Inceneratorëve.

Gjithashtu, edhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, është paraqitur dje për të dëshmuar para Komisionit Hetimor të ngritur për çështjen e inceneratorëve.

Pasi u betua para të pranishmëve, Agaçi pohoi se nuk ka njohje dhe nuk i ka takuar asnjëherë biznesmenët në kërkim, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugalljan.

Ai theksoi se Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar projekt-aktin për autorizimin e procedurave.

Edhe Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Energjisë, ka qenë dëshmitari i radhës në Komisionin Hetimor – të ngritur për të trajtuar çështjen e “inceneratorëve”, nëse ka pasur apo jo shkelje në kontrata dhe procedura.

Gjiknuri deklaroi se Ministria e Energjisë hyri në proces për shkak se iniciativa kishte të bënte edhe me prodhimin e energjisë elektrike.

“Për këtë u dha dhe dakordësia parimisht”, tha ai.

Çështja e inceneratorëve

Fillimisht ishte Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila në dhjetor të 2021-it, shpjegoi sesi ka funksionuar skema e përdorur nga administratorët e kompanisë “Albtek Energy”, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Të dy biznesmenët përfshiheshin në pikën e tretë dhe të fundit të aktakuzës ndaj ish-ministrit të arrestuar, Lefter Koka.

Kompania “Albtek Energy” sh.p.k. , e cila është  shoqëria që ka përfituar koncesionin dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., e cila është shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit, kanë marrë fatura.

Përpos kësaj, ata kanë kryer pagesa për punime që, në të vërtetë, nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

“Albtek Energy” ka deklaruar në mënyrë fiktive 2 milionë e 950 mijë euro, ndërsa “Integrated Technology Services” 735 mijë euro.

Sipas SPAK-ut, shifrat e deklaruara si shpenzime dhe që janë fiktive janë përfituar nga ish-ministri Lefter Koka.

Koka i ka marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” për koncesionin.

Gugallja dhe Zoto si pronarë të kompanive kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave.

Kjo realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare

Lefter Koka

Të martën e 14 dhjetorit, ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, do të lëshohej një urdhër arresti.

Urdhër arresti i tij u firmos nga prokurori Klodian Braho dhe gjyqtari Erion Bani.

Sipas njoftimit të SPAK, hetimet kanë filluar pas dy kallëzimeve penale nga dy forca të mëdha politike në vend.

E para, lidhet me kallëzimin nga Partia Demokratike dhe i dyti, nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Këto kallëzime janë bërë fillimisht në vitin 2020 nga PD-ja, në lidhje me impiantet e përpunimit të mbetjeve.

Më pas, do të ishte LSI-ja, e cila më 21 tetor 2021, do të dërgonte në SPAK çështjen Koka.

Ky i fundit, ka qenë pjesë e socialistëve të qendrës gjatë kohës kur ka mbajtur postin e kreut të dikasterit të Mjedisit, në vitet 2013-2017, gjatë Qeverisë së parë Rama.

Objekti i hetimeve, lidhet me procedurat e kryera për “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.