Kryeministri Rama ka publikuar një foto me drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë Pfizer, e cila ka prodhuar vaksinën e parë të koronavirusit me efikasitet 95%.

“Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju-Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse”, shkruan Kryeministri bashkëngjitur fotos.

Më tej, Rama thekson se ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda shkurtit të nisë vaksinimi.

“Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por, ambicia jonë është të mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca.

Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!”

 VERITAS.COM.AL