Kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh urimi për Sebastian Kurz, i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Austri. Rama e konsideron një fitore të madhe për Ballkanin Perëndimor rizgjedhjen e Kurz si kancelar i Austrisë.
“Urime Sebastian Kurzit për fitoren e madhe dhe jam vërtet i lumtur për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor që një kampion i të ardhmes sonë të përbashkët evropiane, do të drejtojë Austrinë mike për vitet e ardhshme kritike që do të vijnë. Të lumtë, kancelar”, shkruan Rama.
Rreth 6.4 milionë austriakë kishin të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Votimi pasoi kolapsin e koalicionit të Kurz me partinë e të djathtës ekstreme, partia e lirisë, FPO, pas një video skandali që detyroi zëvendëskancelarin Heinz Christian Strache të dorëhiqej.
33 vjeçari Kurz doli i pacënuar nga skandali i FPO e madje edhe fitoi vota prej saj, ndërsa mbështetja për të u rrit me një të pestën e elektoratit krahasuar me zgjedhjet e fundit në 2017.
Veritas.com.al/