Kryeministri Edi Rama ka zbardhur të tjera detaje nga analiza që i është bërë adio-përgjimit të pretenduar me dëshmitarin “X” dhe vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Edi Rama tha se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është fare pjesë e audio-përgjimit të PD. Kreu i qeverisë deklaroi se kemi të bëjmë me një mashtrim që synon destabilizimin e vendit dhe paralajmëroi mbajtjen e përgjegjësive ligjore për autorët e këtij skenari.

Sipas kreut të qeverisë, kemi të bëjmë me një montim qesharak dhe aktorë që interpretojnë. Ai ftoi qytetarët që të bëjnë durim dhe të presin përgjigjen e prokurorisë.

“Historia është shumë serioze: janë vetëm aktorë që luajnë rolin. Kam shpresë që do të dalin nga hetimi skenaristët, regjisorët e producentët. Pyes veten se çfarë do të bëni kur të mësoni se bëhet fjalë për një tallje të madhe me të gjithë? Një tallje e madhe që synon destabilizimin e vendit”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama shtoi nga foltorja e Kuvendit: “Si do ju duket vetja pasi të dilni në protestë se keni dalë në protestë njësoj siç shkohet në kinema për të parë një film. Secili bën atë që do, fatmirësisht koha kur shkoje në protestë dhe nuk ktheheshe në shtëpi, por në morg, ka vdekur. Por, çështja nuk është protesta, por tallja e madhe. Mendojeni këtë që të mos ju duket vetja të keqpërdorur”.

Kjo është deklarata e radhës e kryeministrit Edi Rama ku hedh poshtë në mënyrë kategorike audio-përgjimin e prezantuar si provë nga PD-ja.

Në materialin e PD-së pretendohet se vëllai i ministrit të Brendshëm, i dënuar në Itali për një vepër të vitit 2002, vijon të merret me trafik droge gjatë kohës që Fatmir Xhafaj ka marrë detyrën e ministrit. Përgjimi, sipas PD, është bërë në Vlorë disa muaj më parë nga gazetari Jetmir Olldashi dhe dëshmitari “X”, Albert Veliu.

Interesant është fakti se në intervistën e dhënë për PD, Albert Veliu thotë se nuk e di kush e ka përgjuar vëllanë e ministrit. Pra, dëshmitari kyç heq dorë nga autorësia. Po ashtu edhe gazetari Jetmir Olldashi nuk merr përsipër kryerjen e përgjimit. Ai thotë se i ka vendosur një përgjues Albert Veliut, por nuk e di nëse ky i fundit e ka takuar apo jo, Agron Xhafaj.

A thua e gjitha kjo ishte një lojë “aktorësh” dhe krijuan gjithë këtë rrëmujë kombëtare? Mbetet të presim prokurorinë për verdiktin e këtij audio- inçizimi që për pak krijoi kaos kombëtar.

A do të dale konkluzioni para protestës së të shtunës apo pasi të shtunën të jetë rremujë në Tiranë nga protesta?

Veritas.com.al/