Koment/

Këtë frazë e lëshoi kryeministri Rama, teksa po i jepte dekoratën më të lartë njërit prej zjarrfikësve që nuk kurseu as veten për të shpëtuar jetë njerëzish gjatë vuajtjes nga tërmeti. Kryeministri nuk foli si filozof, por zbuloi filozofinë e pushtetit që ‘nuk ka më sy për të parë vlera’ atje poshtë në popull.

“Jam shumë i prekur që jam pranë teje, sepse në kushtet e jetës së përditshme njerëzit si ti që janë me mijëra, janë thjesht në jetën e tyre dhe ne rrallë ose as fare i shohim në vlerën dhe rëndësinë që kanë për punën që bëjnë’, tha kryeministri para zjarrfikësit.

Luan Kapaj, është zjarrfikësi i cili ishte gati të sakrifikonte jetën e tij për shpëtimin e njerëzve që ishin nën rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Dhe për këtë atij iu dha edhe medalja e artë nga kryeministri Edi Rama.

“Sot unë dëshiroj që t’i jap Luanit medaljen e artë për vlerësim profesional, që në fakt është krijuar prej disa kohësh dhe që është dhënë për herë të parë trupave që na ndihmuan për kërkim shpëtimin, por është e para që i jepet një individi. Duke ia dhen këtë medalje e vendosim stekën shumë lart për individë të tjerë që meritojnë të vlerësohen. Më vjen mirë që e shoh përditë se ajo çfarë njerëzit tanë bënë në këtë krizë që ishte më e madhe se sa vetë ne, ka frymëzuar të gjithë ata që pa qenë të thirrur për heroizma, kontribuuan për rindërtimin”, tha Rama.

Kryeministri duke i dorëzuar medaljen Luanit i tha se: “Jam shumë i prekur që jam pranë teje, sepse në kushtet e jetës së përditshme njerëzit si ti që janë me mijëra, janë thjesht në jetën e tyre dhe ne rrallë ose as fare i shohim në vlerën dhe rëndësinë që kanë për punën që bëjnë. Të jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj shumë për gjithçka”.

Veritas.com.al/