Eliona Elezi, Ersida Visoçi, Mediana Meta, Françes Ganaj, Odeta Todorushi dhe Albjona Papajani janë gjashtë magjistratët e rinj, emërimin e të cilëve KLP ka miratuar me 11 vota pro në organin e akuzës, duke nisur kështu zëvendësimin e vendeve të mbetura bosh si pasojë e shkarkimeve nga vetingu.

Në seancën plenare të së premtes anëtarët e KLP miratuan emërimin e 6 studentëve të diplomuar nga shkolla e Magjistraturës. Pasi fillimisht u miratuan projekt aktet e verifikimit të pasurisë dhe figurës për këta magjistratë

KLP nëpërmjet komisionit të karrierës vendosi të themelojë një metodë pune, që do ta shoqërojë këtë proces në vite duke kërkuar informacion tek të gjitha institucionet ligjzbatuese për kandidatët të para emërimit të tyre si prokurorë.

Pas emërimit të 6 magjistratëve në prokurori të rretheve, KLP miratoi me 11 vota caktimin e përkohshëm të prokurorit Gjon Fusha si drejtues në prokurorinë e Apelit Gjirokastër.

Në mbledhje është diskutuar dhe adresimi i çështjes për caktimin e përkohshëm të prokurorëve për shkak të mungesës së rregullores për lëvizjet paralele dhe rregullores për ngritjen në detyrë.

Zyra për mediat në këshillin e prokurorisë tha se të dy këto rrRegullore po punon aktualisht nga Këshilli i Bashkëpunimit me misionin ndërkombëtar Euralius.

Anëtarët e KLP kanë diskutuar edhe për prokurorët që aktualisht kanë caktim të përkohshëm si drejtues të cilët konkurrojnë për SPAK, konkretisht Donika Prela te Krimet e Rënda dhe Elizabeta Imeraj në Prokurorinë e Tiranës.

Pas diskutimeve, anëtarët e KLP në shumicë vendosën që titullarët e dy prokurorive të mbeten në këtë gjendje deri në finalizimin e procesit të konkurrimit në SPAK.

VERITAS.COM.AL