Vota e diasporës dhe herësi për shpërndarjen e mandateve të deputetëve, janë dy çështjet kyçe për të cilën opozita dhe mazhoranca nuk kanë ende një dakordësi për reformën zgjedhore.
Kështu deklaroi në përfundim të takimit të grupit të dialogut, Damian Gjiknuri i cili tha se opozita kërkon rikthimin e marrëveshjes së 5 qershorit, gjë që sipas tij është e ezauruar dhe nuk do të ketë kthim pas.
Sa i përket votës së diasporës, Gjiknuri u shpreh se është marrë në shqyrtim një propozim i bërë nga disa deputetë demokratë i cili parashikon që emigrantët të votojnë atje ku kanë pasur vendbanimin e fundit.
“Nuk kemi një konkluzion për shumë çështje që duhet të ishin adresuar si rekomandimet e ODIHR pasi opozita kërkon rikthimin e marrëveshjes së 5 qershorit që është vetëm datë historike dhe nuk kanë asnjë vlerë juridike sepse ndryshimet e kodit iu nënshtruan certifikimit të Venecias. Duhet të adresojmë dy çështje që janë Kushtetuese. E para ka të bëjë me votën e diasporës dhe kemi marrë dhe propozimin e disa kolegëve të opozitës që vota e diasporës të llogaritet atje ku votuesi ka pasur vendbanimin e fundit, lehtësia e regjistrimit mes KQZ e më pas në gjendjen civile. Kjo do të jetë baza e pr.ligjit. Çështja e dytë është formula e herësit për shpërndarjen e mandateve brenda forcave politike. Ne jemi të hapur për konsensus, do dalim me propozimet tona dhe nëse do të ketë dakordësi do vijojmë me ndryshime. Dhashë garancinë që ne jemi gati të financojmë votimin dhe numërimin e votave në 4 qarqet e mëdha. Nuk e di, PD duket sikur ka hequr dorë dhe nga ky propozim, duket sikur nuk ka besim”, tha Gjiknuri.