-Asgjë për kërkimin shkencor dhe gjithçka për karburantin e dekanëve dhe rektorëve, për udhëtime, për makina, për pajisje zyrash…-
Protesta e studenteve nuk e ka prishur aspak agjendën e rektoreve dhe dekanëve në të gjitha universitetet publike të vendit.
Pas protestës, disa milionë euro të mbledhura nga pagesat e studentëve i kanë shpenzuar rektorët vetëm për roje, pajisje zyrash dhe asnjë lek për laboratorë, kërkim shkencor biblioteka dhe libra.
“Pjesa më e madhe e të ardhurave shkojnë për sigurimin e godinave, për karburant, për makinat e rektorëve, dekanëve dhe drejtuesve të Universiteteve. Shkojnë për pajisje dhe për orendi zyre. Universiteti i Tiranës sapo ka nënshkruar një kontratë për rinovimin e godinës. Ka nënshkruar serish një kontratë për sigurimin e godinave. Kemi edhe tender për kamerat e sigurisë. Nuk shohim transaksione që lidhen me cilësinë e arsimit, por shohim transaksione që lidhen me makinat e drejtuesve. Universiteti i Korçës ka shpenzuar në 6 muaj- 24 mijë euro për karburant”, shprehet përfaqësuesi i Monitorimit të Qëndresës Qytetare.
Shuma të frikshme parash ka shpenzuar stafi i Universiteti Politeknik, ku për 6 muaj ka harxhuar për telefon 17,600 euro dhe 34,000 euro për dieta dhe udhëtime.
Ndërkohë që për përmirësimin e cilësisë se arsimit nuk është harxhuar asnjë lekë.
“Nga 7 Universitete, 5 prej tyre kanë shpenzuar 0 lekë për kërkimin shkencor dhe për studime”, shtoi përfaqësuesi i Monitorimi i Qëndresës Qytetare.
Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë ka regjistruar procedim penal për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, i pezulluar tashmë.
Nga ana tjetër, grupi i punës së Ministrisë së Arsimit prej 5 personash ka hartuar një projekt raport në lidhje me veprimtarinë e Universitetit të Tiranës, ku bën përgjegjës Mynyr Konin për më shumë se 16 shkelje.
Në raport evidentohet tejkalimi i kompetencave të rektorit, i cili ka firmosur si autor kontraktues për çështjet financiare gjë që i takon administratorit.
Vihen re përplasje mes autoriteteve drejtuese, ku sipas kryetarit të bordit administrativ buxheti i sjellë nga rektori nuk është i njëjtë me atë që ka miratuar Senati.
Shkelje tjetër e rëndë ligjore nga Rektori që ka sjellë pasoja në financat e Universitetit është shënuar shtyrja e afatit të daljes në pension të punonjësve.
“Pandëshkueshmëria ndër vite ka sjellë në këtë situatë”, thotë përfaqësuesi i Monitorimi i Qëndresës Qytetare.